Për 1 javë, dy kinezë bënë “NAMIN” me paratë e të dhënat e shqiptarëve, Policia e krimit kibernetik shpëton 5000 shqiptarë nga mashtrimi e 5 miliardë lekë (OPERACIONI I SUKSESSHEM)

Dy shtetasit kinezë Cunfeng Fan, 51 vjeç dhe Haike Yan, 45 vjeç hynë në Shqipëri si turistë dhe nuk patën kurrfarë verifikimi. Autoriteteve nuk u lanë asnjë përshtypje se mendja e tyre dhe qëllimi për të cilin kishin ardhur ishte tragjik për financat e të dhënat e shqiptarëve.
Por, iu deshën vetëm 7 ditë dy kinezëve që të gjenin një banesë, dhe në të të ngrinin “minilaboratorin” e tyre të mashtrimit, vetëm me një laptop, por më pas 17 telefona, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë e shuma parash në valuta të ndryshme, të paktën, kaq sa u kapën në flagrancë nga policia e shtetit.
Menjëherë sapo në telefonat e shqiptarëve, nëpër email, filluan të vinin mesazhe në emër të postës shqiptare, duke marrë të dhënat e qytetarëve, numrat e tyre të llogarive bankare e të dhëna të tjera, drejtoria e hetimit të krimit kibernetik u vu në lëvizje të menjëhershme. Sms mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës me qëllim marrjen e të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve, finalizoi me sukses operacionin “Posta e rreme”.
“U parandalua vjedhja e të dhënave të mbi 5000 shtetasve shqiptarë që ranë në grackën e këtij mashtrimi. U parandalua vjedhja e një shume të përllogaritur në 5 miliardë lekë” tha për Newsbomb.al një prej zyrtarëve të krimit kibernetik, duke e cilësuar këtë si një ndër operacionet më të suksesshëm të drejtorisë së krimit kibernetik shqiptar.
Shtetasit kinezë Cunfeng Fan, 51 vjeç dhe Haike Yan, 45 vjeç u vendosën në pranga. Hetimet e policisë zbuluan se ata hynë në Shqipëri në 27 tetor 2025 dhe pasi krijuan faqen e internetit identike me atë të postës shqiptare, filluan aktivitetin kriminal.
Policia po kërkon edhe për bashkëpunëtorë të tyre por mbi dy kinezët tani rëndojnë veprat penale të “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Puna nuk ndalet këtu. Policia shqiptare thotë se çdo qytetar që është prekur nga kjo skemë mashtruese, duhet menjëherë të paraqitet të drejtoria e krimit kibernetik.
“Mos klikoni në lidhje (linke) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale;
Mos jepni asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;
Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryeni çdo veprim online;
Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik” është paralajmerimi i strukturave të policisë.
Dhe në fund kanë edhe një thirrje për qytetarët:
“Nëse ndonjë qytetar i është përgjigjur mesazheve mashtruese dhe ka vendosur të dhënat e tij personale apo bankare në faqet e falsifikuara, i bëjmë thirrje të paraqitet sa më shpejt në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, ose të kontaktojë menjëherë për të raportuar rastin dhe për të marrë ndihmën e nevojshme. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të mbrojtur qytetarët nga veprimtaritë e paligjshme në hapësirën digjitale dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi sigurinë kibernetike”, thuhet zyrtarisht nga policia.