Pati rrjedhje informacioni nga TIMS apo u tradhtua? Dani dhe shoferi sapo u kthyen nga Barcelona, Mercedesin e kishin lënë në aeroport, atentatorët i pritën në Rinas

Gilmando Dani dhe shoferi i tij Muçi Shaljani sapo ishin kthyer nga Barcelona, kur ranë në atentat te rrethrrotullimi i Rinasit dhe fatkeqësisht Dani ndërroi jetë në vendngjarje, kurse miku i tij – pronari i “RAMEL” hotel në Tiranë – ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Autorët raportohet se kanë qenë në një makinë me targa greke dhe kanë hapur zjarr me breshëri kallshanikovi nga ana e djathtë e mjetit, pasi Gilmando Dani ndodhej në vendin e parë si pasagjer.

Nga breshëria, plumbat kanë përshkruar dhe anën tjetër, duke prekur dhe shoferin. Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani kishin dalë nga Shqipëria më datë 7 Nëntor dhe u kthyen vetëm pak minuta para se të binin në atentat, sot më 11 Nëntor rreth orës 14:00.

Një grup i posaçëm hetimor është ngritur nga Policia e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë, për të zbardhur këtë ngjarje që ka tronditur kryeqytetin dhe ka shkaktuar panik tek qytetarët dhe turistët e shumtë në aeroportin e Rinasit.

Mbetet për t’u parë nëse organi i akuzës do të hetojë dhe mundësinë e rrjedhjes së informacionit nga sistemi TIMS i Policisë Kufitare, sepse autorët mesa duket kanë pasur informacion të detajuar dhe preciz për mbërritjen e shënjestrës në aeroport.

Mjeti i tyre ka qenë i parkuar në anën jugore të rrethrrotullimit dhe sapo Mercedesi ka dalë nga parkingu i Rinasit dhe është nisur për të bërë dalje nga zona e aeroportit, dy autorët kanë zbritur nga “Toyota Yaris” dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash.

Mbi makinën luksoze Mercedes Benz “S Class” janë shkrehur të paktën dy karikatorë kallashnikovi, me objektivin e plumbave që ka pasur fokus dyert e pasagjerit dhe shoferit, si dhe xhamin e përparëm.

Deri tani, dyshimet janë se dy shënjestrat e atentatit janë “shitur” nga njerëzit e tyre ose, nga sistemi TIMS ka pasur rrjedhje të informacionit dhe atentatorët kanë ditur me detaje oraret e tyre të mbërritjes në Rinas, makinën me të cilën ata lëviznin dhe pozicionin në mjet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT