Pandeli Majko bie “pre” e TIK-TOK-ut, socialisti sqaron videon me “djalin miliarder”: Im bir quhet Gjergji

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar pas një postimi viral në rrjetet sociale ku thuhej se djali i tij i madh, “Albani”, shijonte jetën e luksit në Monte Carlo, vendi i cili njihet si i “pasanikëve” dhe ku paratë “derdhen lumë”.
Në rrjetin e tij social, Majko ka sqaruar qytetarët se pamjet e shitura në rrjetet sociale sikur ishte i biri janë gënjeshtra pasi ai ka vetëm një djalë dhe quhet Gjergji, jo Alban, ashtu sikurse dhe ishte shkruar përmbi video.
“Dikush me sens humori ka nxjerrë në rrjetet sociale lajmin se “djali im i madh me emrin Alban” është parë në Monte Karlo… Djali im i vetëm, quhet Gjergji! Më vjen keq për djalin në foto por “fatkeqësisht” nuk është im bir”, shkruan Majko.
Në rrjetin social “TikTok”, një video është duke qarkulluar me shpejtësi ku një i ri shihet teksa hipën në automjetin e tij tip luksoz. Kjo video është shkëputur nga Monte Carlo dhe pretendohej se ishte djali i ish-deputetit.
Mbase këto pamje u përdorën në formë marketingu për faqen e cila e kishte publikuar, por ky fakt s’ka kaluar pa rënë në sytë e Majkos i cili për transparencë dhe në respekt të publikut i ka sqaruar këta të fundit.