Ngjarja në Rinas, drejtori i AMP-së me dorë të hekurt: Pezullohen shefat e Operacionales, nis hetimi për të plagosurin Shaljani

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos oficeri i AMP-së, Muçi Shaljani, i njohur ndryshe edhe si Mustafa Sheqeri.

Në reagimin e saj, AMP bën me dije se menjëherë pas ngjarjes ka nisur verifikimin e brendshëm të të gjitha procedurave administrative të ndjekura, si dhe të praktikës së rekrutimit të punonjësit të plagosur.

Gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të agjencisë, derisa të sqarohen plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe të përfshirjes së efektivit.

“Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, M.Sh, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në komunikimet në vijim do të bëhen me dije rezultatet e këtyre veprimeve”, thuhet në reagimin e AMP-së,

Ndërkohë, burime zyrtare konfirmojnë se Muçi Shaljani ishte agjent me kontratë të përkohshme tre mujore në AMP, kontratë që përfundonte në fund të muajit nëntor. Megjithatë, sipas informacioneve nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, ai nuk kishte certifikatë sigurie, dokumentin zyrtar që vërteton pastërtinë e figurës dhe aftësinë për të pasur qasje në informacion të klasifikuar.

Kjo ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si Shaljani është rekrutuar në strukturën e AMP-së, pa kaluar filtrat e verifikimit të sigurisë.

Muçi Shaljani njihej në Tiranë për lidhjet e tij të hershme me Gilmando Danin, i cili ishte mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit. Ngjarja e një dite më parë, ku Dani humbi jetën dhe Shaljani mbeti i plagosur, ka tronditur opinionin publik dhe ka vënë në qendër të vëmendjes mënyrën e funksionimit të strukturave të sigurisë dhe kontrollit në vend.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT