“Na lanë pa rroga dhe pa sigurime”, inxhinieri turk akuzon Air Albania për mashtrim dhe shmangie detyrimesh: Falimentim fiktiv për të fshirë borxhet ndaj punonjësve

Ali Osman Yıldırım, inxhinier i licencuar i aviacionit civil, ka bërë një denoncim publik ndaj drejtuesve të Air Albania dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse, duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të punëtorëve. Ai thotë se, pavarësisht letrave dhe deklaratave të tij të mëparshme, as drejtuesit e kompanisë dhe as autoritetet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për të zgjidhur situatën.
Sipas Yıldırım, në shumë vende të botës të drejtat e punonjësve mbrohen dhe respektohen, ndërsa në Shqipëri pagat vazhdojnë të mbeten të papaguara, kontributet e sigurimeve shoqërore nuk derdhen dhe punonjësit që janë larguar nga puna, qoftë të pushuar apo me dorëheqje, ende presin kompensimin që u takon me ligj. Ai shpreh zhgënjim për heshtjen e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Ministrisë së Transportit, të cilat, sipas tij, kanë mbyllur sytë përballë këtyre shkeljeve.
Ai paralajmëron se ekziston frika se drejtuesit aktualë të Air Albania po përgatiten të mbyllin aktivitetin ekzistues dhe ta rihapin me një emër të ri, duke shmangur detyrimet ndaj punonjësve. “Çdo kompani e ndërtuar mbi punë të papaguar dhe mbi besimin e thyer të punëtorëve nuk mund të funksionojë dhe nuk do të ketë sukses,” shprehet Yıldırım.
Ai deklaron se nuk mund ta falë një padrejtësi të tillë dhe se do të vazhdojë të ngrihet në mbrojtje të asaj që është e drejtë, për çdo koleg që ka dhënë kohën, mundin dhe përkushtimin e tij për këtë kompani. Sipas tij, që prej marrjes së drejtimit nga kjo drejtuesi, Air Albania nuk ka parë asnjë përmirësim; përkundrazi, veprimet e tyre kanë dëmtuar shtetin shqiptar dhe qytetarët e tij, ndërsa ata vazhdojnë të mbajnë postet e tyre.
“Drejtësia dhe dinjiteti janë themeli i njerëzimit. Pa to, përparimi humbet kuptimin,” përfundon Yıldırım, duke shtuar se beson se opinioni publik do ta gjykojë situatën siç është në të vërtetë.