Makina luksoze, apartamente në zonat më lakmuara e pasuri deri në 2 milionë euro, kush është vlonjati që ngriti pronat me paratë e krimit, Prokuroria ia “dogji” të gjitha

Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro mbi pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Pasuritë janë në pronësi të shtetasit Tahir Qenamit (Kapaj), ndërsa hetimet kanë zbuluar një sërë apartamentesh, dyqanesh dhe automjetesh të blera me para të dyshimta.
Sipas njoftimit zyrtar, janë sekuestruar:
14 apartamente në lagjen “1 Maji” në Vlorë dhe në zonën e Saukut në Tiranë;
2 njësi tregtare (dyqane) në Vlorë;
6 poste parkimi;
një tokë (arë) me sipërfaqe 2000 m² në Radhimë;
si dhe 2 automjete, një “Daimler Chrysler” dhe një “Ford Focus”.
Hetimet kanë treguar se pasuritë janë siguruar përmes të ardhurave nga aktivitete të paligjshme, ndërsa vlera e tyre totale arrin në rreth 2 milionë euro.
Prokuroria e Vlorës po vijon verifikimet për të zbuluar origjinën e plotë të pasurisë dhe lidhjet e mundshme me persona të tjerë të përfshirë.
Sakaq, burime nga organet e hetimit bëjnë me dije se Tahir Qenami, 39 vjeç, me origjinë dhe banim në Vlorë, është personi ndaj të cilit është vendosur sekuestroja e pasurive me vlerë rreth 2 milionë euro.
Qenami ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale në Gjermani, ku në janar të vitit 2023 është arrestuar dhe më pas dënuar për trafik të lëndëve narkotike.
Hetuesit dyshojnë se paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal ai i ka investuar në blerjen e apartamenteve, dyqaneve dhe pasurive të tjera në Vlorë, të cilat tashmë janë sekuestruar nga Prokuroria.