Ligji “boshatis” SPAK në vitin 2028, Altin Dumani kundër largimit të prokurorëve: Kësaj i thonë je shumë i kualifikuar, por nuk na duhesh më

Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani dorëzon mandatin e tij 3-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi, si drejtues i Prokurorisë së Posaçme më 16 dhjetor. Në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar, Dumani siç e ka thënë dhe në dalje të tjera publike, ka folur për një zgjatje të mandatit të drejtuesit të SPAK gjithashtu dhe të prokurorëve të posaçëm.
Altin Dumani shpreh dakordësinë e tij për të mos pasur të drejtë rikandidimi për drejtuesin e SPAK, por nuk bie dakord me moskandidimin e prokurorëve të posaçëm, ku 11 prej tyre i mbaron mandati në vitin 2028, duke krijuar një vakancë të madhe në institucion.
“Kushtetuta ka vendosur drejt kur ka përcaktuar një mandat pa të drejtë rizgjedhje. Do të kisha dëshirë që mandati të ishte më i gjatë, 4 ore 5 vite. Është kohë e shkurtër 3 vite. 4 ose 5 vite të jep më shumë mundësi për të përmbushur vizionin. Jam kundër 2 mandateve apo 3 mandateve.
Asnjëherë, as publikisht as në mënyrë shkresore, nuk kam kërkuar që shihet mundësia rikandidimit të drejtuesit të SPAK. Nisur nga përjetimi im, vlerësoj se një mandat është i mjaftueshëm dhe duhet t’i hapet rruga një tjetër”, tha Dumani.
Kryeprokurori i Posaçëm thotë se prokurorët e SPAK janë më se të kualifikuar për detyrën që ushtrojnë dhe zëvendësimi i tyre është thuasje i pamundur, duke përmendur këtu dhe vitet e investimit për rritje profesionale si nga institucionet shtetërore vendase ashtu dhe nëpërmjet trajnimeve me ndërkombëtarët.
“Për 11 prokurorët e SPAK, e kam ngritur si problematikë përfundimin e mandatit të 11 prokurorëve në vitin 2028. Në vlerësimin tim krijohet një vakum i madh se është e vështirë t’i zëvendësosh të cilët të paktën 90 vite kanë investuar në ngritjen e tyre profesionale. Nuk e kemi luksin që 11 profesionistë të vërtetë t’i largojmë nga SPAK. E thënë ndryshe, je shumë i kualifikuar, por na duhesh më. Siç ligji e ka parashikuar, të gjitha kthehen në vendin e mëparshëm, aty ku kanë ushtruar funksionin e tyre përpara se të bëhen pjesë e SPAK”, tha Dumani.
Pas dorëzimit të mandatit, Dumanit i mbesin dhe 3 vite për të ushtruar detyrë në SPAK ndërsa thekson se do të jetë akoma më i fokusuar dhe i angazhuar në dosjet që ka aktualisht në dorë, por dhe të tjera që do t’i ndarkohen.
“Jam maksimalisht i fokusuar dhe i angazhuar të vijoj punën time si prokuror i posaçëm. Do investohem më shumë në çështjet që kam nën hetim. Dosjet që i kam nën hetim do vazhdoj t’i ndjek dhe pas përfundimit të mandatit si drejtues. Nuk komentoj deklarata politike”, tha kreu i SPAK.