“Kyçi” në qeli Erion Veliajn dhe ia refuzoi disa herë kërkesat për liri, “shpërblehet” gjyqtari Engert Pëllumbi

Gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi është zgjedhur me votë unanime kryetar i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës, e zhvilluar të premten, më 31 tetor 2025.

Së bashku me Pëllumbin, Asambleja zgjodhi Ardit Kukën në detyrën e nënkryetarit dhe Valjona Haxhirajn si sekretare të Shoqatës. Në Këshillin Drejtues u përfshinë gjithashtu gjyqtarët Ina Hoxhaj, Manjola Xhaxho, Ervin Sulaj, Fatri Islamaj, Erjon Bani, Elsa Ulliri dhe Albert Keraj. Gjatë mbledhjes u miratua edhe pranimi i 14 anëtarëve të rinj dhe u vendosën disa ndryshime në Statutin e Shoqatës.

Engert Pëllumbi njihet për qëndrimet e tij të palëkundura në drejtim të pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë edhe rastet kur ka refuzuar disa herë kërkesat për lirimin nga qelia të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e mbledhur ditën e premte, më datë 31.10.2025, mori disa vendime të rëndësishme ne vijim të funksionimit të saj. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të Shoqatës, pas konsultimeve, me votë unanime mori vendimet e mëposhtme: Engert Pëllumbi u zgjodh Kryetar i Shoqatës; Ardit Kuka u zgjodh Nënkryetar i Shoqatës; Valjona Haxhiraj u zgjodh Sekretare e Shoqatës; Anëtarë të Këshillit Drejtues të Shoqatës (duke përfshirë Kryetarin dhe Nënkryetarin e saj) u zgjodhën gjyqtarët Engert Pëllumbi, Ardit Kuka, Ina Hoxhaj, Manjola Xhaxho, Ervin Sulaj, Fatri Islamaj, Erjon Bani, Elsa Ulliri dhe Albert Keraj”, thuhet në një njoftim të Shoqatës së Gjyqtarëve.

Pëllumbi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe karrierën e ka nisur në Gjykatën e Fierit. Nga viti 2017 deri në nëntor 2020 ai ka qenë këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë, përpara se të emërohej në Gjykatën e Apelit të Vlorës, e më pas në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në tetor të vitit 2021, gjyqtari iu nënshtrua procesit të rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të cilin e kaloi me sukses, duke rezultuar i pastër në të tre kriteret e vetingut. Ai u konfirmua në detyrë me votë unanime nga KPK.

Engert Pëllumbi u bë i njohur për publikun që në vitin 2011, kur dënoi për shpifje nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felajn.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT