Ky është Ylli Zalla, pronari i arsenalit të armëve në Krujë! Nga banesa e tij dyshohet se doli makina me autorët e atentatit në Rinas

Personi në foto është 48-vjeçari Ylli Zalla, pronari i një arsenali armësh që u zbulua në Fushë Krujë vetëm tre ditë pas atentatit në Rinas, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani.
Dyshohet se nga banesa e tij në fshatin Zall të Fushë Krujës, ka dalë edhe makina “Toyota” me autorët e atentatit mafioz në Rinas.
Policia sqaron se Ylli Zalla, 48-vjeç u shpall në kërkim nga policia dhe po punohet për kapjen e tij.
Gjatë kontrolleve në banesen e tij policia gjeti:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.
Kush është Ylli Zalla
Ylli Zalla, është një person me precedent penal, i arrestuar më herët për arsenal armësh dhe prodhim lëndëve plasëse.
Ai ka qenë i skeduar edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS.
Ndërkohë ka kërcënuar me jetë dhe ish pronarin e fabrikës së çimentos. Ngjarje e ndodhur gjithashtu përpara disa vitesh.
Njoftimi i Policisë
Tiranë/Zhvillohet operacioni policor i koduar “Tracking”, nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.
Operacioni, ende në vijim në rrethin Krujë, në kuadër të punës intensive hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së datës 11.11.2025, te rrethrrotullimi i Rinasit.
Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.
Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.
Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit.
Operacioni policor i koduar “Tracking”, vijon.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Si ndodhi atentati
Gilmando Dani, 47- vjeç u ekzekutua të martën e 11 nentorit në dalje të aeroportit të Rinasit, një zonë e populluar dhe me prani të shumtë të forcave të Policisë së Shtetit në Tiranë. Një person i dytë, Muçi Shaljani efektiv i AMP, 40 vjeç, mbeti i plagosur.
Krimi ndodhi rreth orës 14:20, kur makina me të cilën udhëtonte Dani u qëllua me një breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas Policisë së Tiranës, Dani ndërroi jetë në vend, ndërsa Shaljani u transportua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kush ishte Gilmando Dani
Gilando Dani ka rekorde të hershme kriminale dhe njihet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Emiljano Shullazit, një personazh i krimit të organizuar. Ata u dënuan së bashku në nëntor të vitit 2018 nga Gjykata e Krimeve të Rënda për zhvatje pasurie, kërcënim dhe grup të strukturuar kriminal.
Dani u dënua me 12 vjet burg dhe u lirua nga qelia në tetor të vitit 2024 pas përfundimit të dënimit. Sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dani u dënua si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka. Ndërkohë, grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynur Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule, si dhe për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.