Ishin me pushime në Turqi dhe hëngrën “street food”, e gjithë familja humb jetën, autoritetet në Stamboll arrestojnë 11 persona

Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar pasi katër anëtarë të së njëjtës familje vdiqën nga helmimi i dyshuar teksa ishin me pushime në Turqi.
Cigdem Boceck, 27 vjeç, dhe bashkëshorti i saj Servet, 38 vjeç, u sëmurën vetëm dy ditë pasi udhëtuan nga Hamburgu i Gjermanisë në kryeqytetin turk të Stambollit me dy fëmijët e tyre, Masal, tre vjeç, dhe Kadir, gjashtë vjeç, më 9 nëntor.
Dy ditë më vonë, ata dolën nga hoteli pak pas mesditës dhe morën një taksi për në Ortakoj, ku hëngrën midye, një meze e njohur rruge me midhje të mbushura të servirura të ftohta me limon, nga një shitës ambulant.
Pas mesditës, secili prej tyre porositi pjata të ndryshme në një restorant, duke përfshirë kokorec, një pjatë të bërë nga zorrët e viçit dhe tavuk tantuni, një lloj pete turke me mish pule.
Më vonë ata blenë ëmbëlsira turke nga një dyqan në Fatih përpara se të ktheheshin në hotelin e tyre. Pasi u kthyen në hotel, Masal dhe Kadir filluan të vuanin nga të përziera dhe të vjella. Të dy fëmijët u dërguan në spital, ndërsa prindërit gjithashtu shfaqën simptoma të ngjashme pak më vonë.
Shoferi i taksisë që e ka çuar familjen në spital, foli për udhëtimin në një video të ndarë nga kompania lokale e lajmeve “Kayseri Haberler”. “Familja u hodh para automjetit tim përpara Parkut Portual Kadırga, duke dashur që unë t’i çoja në spital”, ka treguar ai.
Vajza villte vazhdimisht gjatë rrugës dhe nëna ishte pa ndjenja dhe po mbështeste kokën në xhamin e pasmë të djathtë.
Masal, Kadir dhe nëna e tyre Cigdem, 27 vjeç, vdiqën më vonë në spital. Serveti u dërgua në Spitalin Cemil Taskcioglu ku qëndroi në kujdes intensiv për gjashtë ditë. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë së Stambollit, Abdullah Emre Güner njoftoi vdekjen e babait të hënën.
Një hetim i madh ka nisur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit, i cili deri më tani ka çuar në arrestimin e 11 personave, përfshirë shitësit ambulantë nga të cilët familja blinte ushqim.
Fillimisht, detektivët u përqendruan në dyshimet për helmim nga ushqimi, por që atëherë kanë dalë prova se familja mund të jetë ekspozuar ndaj pesticideve në hotelin ku po qëndronin, raportuan mediat turke.
Policia dhe prokurorët kanë një teori se një substancë e përdorur në një trajtim kundër pleshtave të shtratit në një dhomë në katin përdhes të hotelit mund të ketë arritur në dhomën e familjes përmes boshtit të ventilimit të banjës dhe t’i ketë helmuar ata.
Substanca e dëmshme është fosfidi i aluminit, i cili është një kimikat i fuqishëm toksik që përdoret si pesticid në bujqësi dhe shtëpi dhe që mund të shkaktojë vdekje nëse thithet në sasi të mëdha.
Policia vazhdoi të mbledhë mostra nga ndërtesa për ekzaminim pasi hoteli u evakuua dhe u mbyll. Ende nuk është përcaktuar nëse ishin midhjet, ushqimi në restorant apo kimikatet e përdorura nga shërbimi i kontrollit të dëmtuesve të hotelit të tyre që shkaktuan vdekjen e familjes.
Midis të ndaluarve ishin pesë shitës ushqimesh, pronari i hotelit dhe dy anëtarë të stafit, si dhe tre persona nga kompania e kontrollit të pesticideve, raportoi agjencia turke e lajmeve Anadolu, pa dhënë një afat kohor të saktë se kur u ndaluan të gjithë.
Mostrat u mblodhën nga vendet ku familja kishte ngrënë dhe po analizohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Trupat e nënës dhe dy fëmijëve u dërguan gjithashtu në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.