Fondacioni Vodafone dhe British Council prezantojnë Platformën e Parë Kombëtare Dixhitale, për Edukimin në Shqipëri

Fondacioni Vodafone në Shqipëri dhe British Council kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për të prezantuar Platformën e Parë Kombëtare Dixhitale në kuadër të programit Skills Upload Junior, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në avancimin e edukimit dixhital në mbarë Shqipërinë.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në “Innovation Hub”, Piramida, në prani të Znj. Lisa Felton, Drejtoreshë e Fondacionit të Grupit Vodafone; drejtuesve të lartë të Vodafone Albania; Drejtoreshës së British Council për Shqipërinë dhe Kosovën, Znj. Majlinda Mazelliu; përfaqësuesve të Ambasadës Britanike; si dhe dy Zëvendësministreve të Arsimit, Znj. Orjana Osmani dhe Znj. Herida Duro; si edhe Znj. Dorina Rapti, përfaqësuese nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar të Shqipërisë.
Në nisje të aktivitetit, Znj. Lisa Felton, Drejtoreshë e Fondacionit të Grupit Vodafone, theksoi se ky partneritet me British Council ka për qëllim përmirësimin e aftësive dixhitale të nxënësve në shkollat e mbarë Shqipërisë. Për të mundësuar rritjen e këtyre aftësive, të dy institucionet do të krijojnë platformën e parë online, e cila do të ofrojë kurikula të veçanta të fokusuara në inteligjencën artificiale dhe mirëqenien dixhitale, njësoj si në shkollat europiane – konkretisht ato të Gjermanisë, Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe vendeve të tjera ku Fondacioni Vodafone ka prezencë.

Pas nënshkrimit zyrtar, nxënësit prezantuan projekte dixhitale frymëzuese, duke demonstruar kreativitet dhe inovacion që pasqyrojnë misionin e programit: ndërtimin e një të ardhmeje dixhitale më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.
Platforma Kombëtare Dixhitale do të ofrojë përmbajtje të personalizuar dhe trajnime të dedikuara për mësuesit dhe nxënësit, me synim fuqizimin e tyre me aftësitë dixhitale thelbësore. Kjo nismë përputhet me angazhimin e Fondacionit Vodafone për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të nxitur gjithëpërfshirjen përmes teknologjisë.
