Ekzekutohet në SHBA kushëriri i vrasësit së gjyqtarit Kalaja! Joe Biden ia fali vitet e burgut si kreu i grupit kriminal

Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me ngjarjen tragjike të mbrëmjes të së dielës në Michigan, ku shkodrani Françesk Shkambi u qëllua për vdekje.
Mësohet se 44-vjeçari ishte kushëriri i Elvis Shkambit, të riut që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Ai ishte gjithashtu personi që hapi një llogari në GoFundMe me qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e Elvis dhe Gjon Shkambit. Në përshkrimin e atij fondi, Françesk Shkambi prezantohej si i afërm i autorit të vrasjes së gjyqtarit.
Ndërkohë, 44-vjeçari rezulton të jetë një emër i njohur edhe për drejtësinë amerikane. Ai kishte qenë mes personave që përfituan nga faljet dhe uljet e dënimeve të firmosura nga ish-presidenti amerikan Joe Biden. Sipas mediave amerikane, Biden nënshkroi falje ose reduktime dënimesh për rreth 1500 persona, ndër ta edhe individë të dënuar për çështje që lidhen me narkotikët, në kuadër të një programi për rishikimin e dënimeve të ashpra.
Dokumentet publike tregojnë se Shkambi ishte dënuar në vitin 2014 me 27 vite burg, i akuzuar për drejtimin e një grupi që kontrabandonte lëndë narkotike drejt Shteteve të Bashkuara.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:30 të së dielës, sipas orës lokale të Michiganit, në verandën e restorantit Prime 7, ku 44-vjeçari punonte si menaxher dhe bashkëpronar. Sipas autoriteteve amerikane, viktima u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit dhe u transportua menjëherë në spital, por ndërroi jetë pak më vonë.
Rreth 20 minuta pas krimit, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në polici dhe u arrestua pa rezistencë. Hetuesit sekuestruan edhe një pistoletë 9 mm, e cila rezultonte e vjedhur më herët. Zyrtarët deklaruan se viktima dhe autori e njihnin njëri-tjetrin prej vitesh dhe mes tyre kishte pasur një konflikt të mëparshëm, megjithatë motivi i saktë ende mbetet i paqartë.
Shoqata e Shqiptarëve në Michigan, ka shpërndarë njoftimin e familjarëve të cilët e kanë përshkruar Françesk Shkambin si një person të qetë, të dashur dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët.
“Me dhimbje te madhe dhe me zemer te thyer njoftojm ndarjen tragjike nga jeta e te dashurit tone Francesk Shkambi, djali i Ndue Ded Shkambit dhe I File Shkambit,baba I Manuel Shkambit, vllai Prek Shkambit, vllai i Vitores dhe i Lizes, nipi i Shan Shkambit dhe Cam Shkambit i cili u nda nga jeta me 16 nentor 2025, ne moshen 44 vjecare!
Humbja e tij e papritur dhe e dhunshme ka lene nje boshllek te pamatë ne familje, tek te afermit dhe te gjithe ata qe e njohen! Francesku do te kujtohet gjithmone per shpirtin e tij te mirë, karakter te drejt dhe dashurine qe u dha njerzve per rreth!
Kujtimet e bukura dhe momenten e paharrueshme do te jetojn pergjithmone ne zemrat tona. Familja shpreh mirenjohje te thellë per cdo ngushellim dhe mbeshtetje ne kete kohe teper te veshtire! Qofte kujtimi I tij I bekuar dhe shpirti I tij I qet ne amshim! Presim vizita te shpia! Adresa: 100 N Latson Rd, Hoëell, MI 48843”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë.
Galeria fotografike (
)