Edi Rama e la jashtë Kuvendit, Erion Veliaj sfidë të hapur nga qelia: Bën gati emërimin e ish-deputetit të PS për nënkryetar të Bashkisë Tiranë

Juristi dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca pritet të jetë nënkryetari i ri i Bashkisë së Tiranës. Një ndër bashkëpunëtorët e afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj, ai pritet të marrë emërimin nga qelia për të drejtuar bashkinë më të madhe të Shqipërisë.
Media “CNA” raporton se Erion Veliaj ka vendosur të sfidojë hapur kryeministrin Edi Rama, pasi Gjykata Kushtetuese legjitimoi të drejtën e tij për të vazhduar detyrën si kryebashkiak i zgjedhur deri në fund të mandatit, pavarësisht mbajtjes në paraburgim.
Siç bëhet me dije, tashmë me mandatin e kryebashkiakut në dorë, Erion Veliaj pritet të bëjë dhe lëvizje të tjera të bujshme në Bashkinë e Tiranës, kryesisht në poste të larta drejtuese, ndaj njerëzve që i kishte besuar për vite me radhë por që e shkarkuan.
Emërimi i Plarent Ndrecës do të jetë një lëvizje e bujshme dhe strategjike e kryebashkiakut të privuar nga liria me vendim të Gjykatës së Posaçme, si i dyshuar për disa akuza, e cila pritet të rivendosë sërish balancat e pushteteve në Tiranë. Ai do të ketë kompetencat e kryetarit.
Ndreca ka shërbyer si jurist dhe analist i angazhuar pranë qeverisë dhe mazhorancës, deri kur ministri Sandër Lleshaj vendosi ta merrte në Ministrinë e Brendshme si Sekretar i Përgjithshëm, e më pas Edi Rama e futi në listat e deputetëve.
Ai e siguroi një ulëse në Parlament 4 vite më parë, por në 11 Maj u la në listë të hapur nga lidershipi dhe strukturat e PS, duke mos arritur të siguronte dot mandatin. Me besnikërinë e tij nga Erion Veliaj, duket se Plarent Ndrecës po i buzëqesh sërish fati.