DENONCIMI/ Spitali “Nënë Tereza” në kolaps, gazetari nxjerr MESAZHIN e mjekes së urgjencës: Nuk ka vende të lira dhe as barela bosh, ku t’i presim të sëmurët?!

Urgjenca e Spitalit Universitar “Nënë Tereza” në kolaps të plotë. Ky është raportimi i fundit i gazetarit Osman Stafa. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, ai tregon bisedën e një mjeke me kolegët e vet në këtë institucion, më të rëndësishmin në vend, teksa shpreh hapur shqetësimin e mungesës së burimeve materiale.
Mjekja, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur nga Stafa, thekson se nuk ka asnjë barelë bosh dhe as vende të lira për të pritur pacientë të rinj. Një situatë anormale, në urgjencën më të madhe në vend, ku sigurisht kërkon ndërhyrje immediate nga organet kompetente.
Jo vetëm kaq, por pavionet e mjekësisë së brendshme, refuzojnë shtrimet e reja me argumentin e mungesës së vendeve të lira. Gazetari Osman Stafa bën thirrje për reagim nga organet kompetente, pasi situata është vërtetë shumë serioze.
Në facebook-un e vet, ai shkruante: “URGJENCA E QSUT NË KOLAPS
Në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” situata ka dalë jashtë kontrollit.
Mjekja e urgjencës thotë: “Asnjë barelë bosh, asnjë vend i lirë për të pritur pacientë të rinj”. (Ky është komunikim i një grupi mjekësh të urgjencës në ëhatsapp. E disponoj të gjithë komunikimin, por për të ruajtur burimin, nuk po e publikoj të plotë. Sms është e ditës së enjte).
Mjekët e turnit ngrenë alarmin se pavionet e spitalit nuk pranojnë më raste të reja, sepse janë të mbingarkuar dhe nuk kanë hapësirë për shtrime.
Pavionet e Mjekësisë së Brendshme, Gastrohepatologjisë dhe Neurologjisë refuzojnë të marrin pacientë nga urgjenca me arsyetimin se “nuk ka vende bosh”. Mjekët thonë se në disa prej këtyre shërbimeve pacientët mbahen me javë të tëra, madje edhe për më shumë se një muaj, pa u nxjerrë, duke pamundësuar që raste të reja të sistemohen. Arsyeja? Duhet ta gjejë Drejtoria e QSUT-së dhe Ministria e Shëndetësisë.
Kjo ka bërë që urgjenca të shndërrohet në një qendër bllokimi, ku pacientët që kërkojnë ndihmë mbeten në korridore, në karrige ose në dysheme. Stafi mjekësor ndodhet përballë pamundësisë për të ofruar kujdesin minimal. Dhe kjo më pas shkakton konflikte mes mjekëve, infermierëve dhe pacientëve.
Situata është shumë serioze.
Askush nuk interesohet për ta zgjidhur. Dhe ata të cilët e pësojnë janë pacientët, e pastaj mjekët.
Mjekët nuk duhet ta pranojnë këtë situatë. Reagoni. Duhet të reagoni. Së pari për betimin që keni bërë, e së dyti, për veten tuaj”.