Bovilla, furnizuesi kryesor i Tiranës me përmbajtje fekale! Nga Shkodra në Prespë e Hamallaj, RAPORTI zbulon ndotjen masive në ujë!

Raporti i “Active Water II” ka zbuluar se thuajse çdo trup ujor në vendin tonë përmban ngarkesë të lartë bakteriale, ndotje masive fekale që rëndojnë drejtpërdrejt në shëndetin e popullsisë.
Bovilla që është burimi kryesor i ujit për Tiranën, është në gjendje skandaloze pasi nga analizat e kryera të cilat janë përmendur në këtë raport, tregojnë për gjetje të baktereve fekale dhe trubullirë të lartë.
Ky raport, është trajtuar gjerësisht edhe nga gazetarja Denada Kola e cila ngre alarmin se uji që na mban gjallë po bëhet pasqyrë e dështimeve tona. Gazetarja thekson se “Active Water II” e thotë qartë që asnjë trup ujor në Shqipëri nuk mund të quhet plotësisht i pastër.
Raporti i “Active Water II” nxjerr në pah se nga mostrat e marra në qershor të këtij viti, tregojnë ndotje të përhapur në 14 pika, nga Shkodra në Prespë e nga Bovilla në Hamallaj.
Në Liqenin Artificial të Tiranës dhe në Farkë, nivelet e e.coli-t janë disa herë mbi kufijtë e lejuar nga Bashkimi Europian, çka tregon se mbetet me risk të lartë përdorimi i këtij uji për ujitje apo not.
Edhe kanalet vaditëse, në disa zona ku aktiviteti hidrokarbur është i lartë, gjurmën e industrisë së naftës janë të larta.
Kimikate dhe nitrate nga fermat që derdhin ujin në kanalizime më të mëdha e më pas në det, janë një tjetër problem.
Në pamje të parë, uji duket i pastër edhe në Liqenin e Shkodrës, por nga analizat dhe paraqitja në raport, duket qartë që është krejt e kundërta.
Ajo çka vulos raporti i “Active Water II” është se uji i pijshëm do vijojë të mbetet një sfidë për çdo qytet, e kjo, dukshëm jo nga mosdija, por nga mungesa e përgjegjësisë kolektive dhe institucionale.
Raporti i projektit “Active Water II” është publikuar nga H2H Foundation, projekt i cili ka për synim të vlerësojë cilësinë e trupave ujorë dhe të promovojë menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.