Banda e mikrokredive nuk kurseu as Gjon Shkambin, kërcënon zhvatësit e shqiptarëve nga burgu: Do më keni përballë deri në fund!

Një prezencë e çuditshme u raportua dje nga një prej sallave të GJKKO-së, aty ku zhvillohej një seancë gjyqi kundër të ashtuquajturës “Banda” e Mikrokredive.

Gjon Shkambi u soll me pranga në sallën e gjyqit, nga paraburgimi ku qëndron prej tetorit të këtij viti, bashkë me nipin e tij Elvis Shkambi, të dy të akuzuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si dhe plagosjen e dy personave të tjerë.

Megjithëse Gjon Shkambi pretendoi se nuk ka gisht në vrasjen që kreu nipi, si Gjykata e Shkallës së Parë ashtu dhe ajo e Apelit e lanë në burgim, duke ia rrëzuar pretendimet për mosbashkëpunim në vrasjen e bujshme që krijoi një tërmet të vërtetë në gjithë sistemin gjyqësor.

Nga ana tjetër, Gjon Shkambi u paraqit si protagonist në një proces tjetër të bujshëm gjyqësor. Në mega-skandalin e mikrokredive ku SPAK ka akuzuar dhe dërguar në gjyq 18 persona dhe kompani, janë thirrur si viktima akuzuese 31 të dëmtuar nga mashtrimet me kredi që kanë pësuar mijëra qytetarë. Këta, me statusin e viktimave akuzuese, kanë të drejtë të dëshmojnë historitë e tyre, të ballafaqohen, si dhe të ngrenë pretendime kundër të akuzuarve.

Njëri prej “viktimave” që ka thirrur SPAK në këtë gjykim është edhe Gjon Shkambi, i cili pretendon se është mashtruar rëndë nga MCA-ja dhe përmbaruesit e saj, tashmë në bankën e të akuzuarve përballë Gjonit dhe të tjerëve.

Gjon Shkambi iu është drejtuar të pandehurve në sallën e gjyqit se do jetë përballë tyre deri në fund, në çdo seancë, derisa të dënohen për krimet që janë bërë ndaj tij dhe të tjerëve.

“Dalja” nga burgu e Gjon Shkambit raportohet se është në mbështetje të një tjetër lëvizje të bujshme që vetë viktimat e mikrokredive kanë organizuar për të gjetur drejtësinë që sipas tyre po vonon. Dhjetë të dëmtuar nga MCA-ja kanë krijuar një shoqatë me të cilën pretendojnë se do përfaqësojë mijëra të tjerë nëpër institucione dhe sallën e gjykatës.

“Shumë kanë humbur pronat dhe shtëpitë dhe nuk janë thirrur në gjyq”, pretendon një prej tyre, “dhe ne s’do i lejojmë të korruptuarit të na grabisin për së dyti”.

Sipas disa viktimave në këtë mega-gjykim, avokatë mbrojtës të shumicës së të pandehurve që janë paraqitur në mbrojtje të grupit të strukturuar kriminal të mikrokredive, janë ish-gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga vettingu, që kanë ndihmuar dhe i njihnin më parë klientët e tyre.

Një skandal tjetër mund të përfshijë seancat e tjera në GJKKO, përveç “skandalit” ku një i akuzuar për një vrasje të rëndë si Gjon Shkambi akuzon si viktimë për një mashtrim shumë të madh si ai i “mikrokredive”, që llogaritet të ketë shkaktuar pasoja ekonomike dhe sociale për 100,000 shqiptarë.

Newsbomb.al ka raportuar më parë për “konvertimin” në avokatë të ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga procesi Vetting, që marrin pjesë në gjyqin e mikrokredive. Nëse do rezultonte se këta janë përfshirë përgjatë punës së tyre me të pandehurit që mbrojnë sot, kjo do ishte një kthesë e bujshme për një proces që pavarësisht pasqyrimit të plotë mediatik, ka ende dritë-hije.

Emra të njohur të gjyqësorit dhe të akuzës shqiptare ndër vite janë paraqitur në gjykimin e mega-skandalit të mashtrimit me kredi, si avokatët e “bandës” së mikrokredive, anëtarët e së cilës besojnë dhe shpresojnë në karrierën e mëparshme të tyre si gjyqtarë dhe prokurorë që “njohin” sistemin e drejtësisë.

Emrat e avokatëve të licencuar pasi janë larguar nga Vetting:
Andri Ymeri – shkarkuar nga gjyqtar (Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër)
Ardian Kalija – shkarkuar nga gjyqtar (Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë)
Ervin Metalla – shkarkuar nga gjyqtar (Gjykata e Apelit Tiranë)
Ardian Braho – shkarkuar nga prokuror (Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë)
Përparim Kulluri – shkarkuar nga prokuror (Prokuroria për Krime të Rënda)
Adriatik Çama – shkarkuar nga prokuror (Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë)
Shpëtim Kurti – shkarkuar nga prokuror (Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë)
Besnik Muçi – shkarkuar nga prokuror (Prokuroria për Krime të Rënda)

Një debat juridik po zhvillohet kohët e fundit në rrethet e avokatisë, sidomos pas shpërthimit të “skandalit” për shitjen e licencave, lidhur me mënyrën e licencimit të tyre dhe efektet ligjore që ka shkarkimi nga detyra e gjyqtarit ose prokurorit për një avokat me licencë sot.

Me futjen e Gjon Shkambit në sallën e gjyqit përballë të akuzuarve prej tij dhe pretendimeve të viktimave akuzuese për të krijuar një bllok njerëzor kundër “Bandës” së mikrokredive, priten zhvillime të reja që do jenë interesante në këtë fundviti si për median ashtu dhe për opinionin publik.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT