12 miliardë lekë pasuri, Prokuroria e Sarandës godet dy familjet e jugut për të frenuar hakmarrjen: Vëllait të Edmond Papës i sekuestrohen 2 hotele, Adriatik Kalemit lokale e vila

Pasuri me vlerë 12 miliardë lekë të Kristo Qirici alias Jetmir Hoxha dhe Adriatik Kalemit, janë sekuestruar nga Policia e Shtetit, në kuadër të punës për hetimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga të ardhura të paligjshme.

Të dy këta shtetas, janë në hasmëri me njëri-tjetrin, për shkak se Kristo Qirici është vëllai i të vrarit Edmond Papa, kurse Adriatik Kalemi është daja i Aleksandër Sadikaj. Të dy viktimat, sa ishin gjallë, janë përfshirë në një konflikt me në qendër prishjen e pazareve të drogës dhe saga e gjakmarrjes nuk po ndalet.

Mesa duket, për të frenuar hasmërinë, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë vendosur të godasin anën financiare të familjarëve të mbetur gjallë, të cilët gjithashtu kanë synuar në disa episode të godasin njëri-tjetrin përmes vrasësve me pagesë apo shpërthimeve me eksploziv.

12 miliardë lekë pasuri, Prokuroria e Sarandës godet dy familjet

Vellezerit Edmond Papa e Kristo Qirici – Hoteli Blue Sky

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, në vijim të punës për hetimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga të ardhura të paligjshme, kanë evidentuar 2 raste, dhe pas regjistrimit të procedimeve penale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë nisur hetimet konkretisht:

1 – Në ngarkim të shtetasit Kristo Qirici alias Jetmir Hoxha, 43 vjeç, banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e narkotikëve, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 07.09.2025, i lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit, me datë 24.10.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e këtij shtetasi, konkretisht:

– Hotel 6-katësh, me 37 dhoma, sipërfaqe ndërtimi 248 m² për kat + garazh 440 m², në Sarandë.

– Hotel 4-katësh, me 15 dhoma + lokal, sipërfaqe ndërtimi 160 m² + 80 m², në Sarandë.

12 miliardë lekë pasuri, Prokuroria e Sarandës godet dy familjet

FotoArkive: Adriatik Kalemi

2 – Në ngarkim të shtetasit Adriatik Kalemi, 53 vjeç, banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit, trafiqeve dhe narkotikëve, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 31.07.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e këtij shtetasi, konkretisht:

– Në Sarandë: Lokal shërbimi 103 m² dhe pasuri 123.1 m².

– Në Tiranë: Apartament 78.4 m², parcelë ndërtimi 60.12 m², dyqan 103 m² dhe arë 800 m².

– Në Rradhimë, Vlorë: Pasuri 36 m², pasuri 485 m² dhe pasuri 619 m².

– Në Memaliaj, Tepelenë: Pasuri 386 m², truall 650 m² dhe një pasuri tjetër.

Pasuri të luajtshme: 1 mjet lundrues, 4 automjete dhe 12 llogari bankare.

Nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë vijon puna për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera që mund të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë, nga këta shtetas ose familjarët e tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT