Zgjedhjet në Tiranë bëjnë ‘prapa-ktheu’, ZBARDHET VENDIMI: Përse Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e presidentit?!

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar sot dekretin e presidentit të Republikës, Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, caktuar më datë 9 nëntor. Vendimin Kushtetuesja e ka argumentuar se:

në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim”, thuhet në vendim.

Ka qenë Erion Veliaj, i cili ka ankimuar dekretimin e zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese.

Pra, dekreti i presidentit është pezulluar dhe rrjedhimisht edhe zhvillimi i zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme në kryeqytet ose jo, do të vendoset më datë 31 tetor, ditë kur Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimimin e parë të Veliajt, ku kërkon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra.

Në kërkesën e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj kishte argumentuar ankimimin e tij duke thënë se zbatimi i dekretit përpara se të shprehet GJK, “rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikuperueshme, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të të zgjedhurit vendorë, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve.”

Në përfundim të mbledhjes së ditës së sotme Gjykata Kushtetuese vendosi:

1. Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë. Tiranë, më 09.10.2025”, thuhet në vendim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT