Zbuloi se shefi i Krimeve në Përmet u pezullua nga detyra, kërcënohet gazetari gjirokastrit, deputeti demokrat në mbrojte të Piro Nases

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka dalë në mbrojtje të gazetarit gjirokastrit, Piro Nase, i cili së fundmi kishte marrë një telefonatë kërcënuese nga familjarët e Dhurim Çenkos, shefit të Krimeve në Përmet.
Përmes një postimi në “Facebook”, Shehu ka kërkuar reagim të menjëhershëm të autoriteteve dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, të cilët kanë kërcënuar dhe intimiduar gazetarin Nase pasi ky i fundit kishte bërë punën e tij.
“Si deputet i Qarku te Gjirokastres kerkoj te merren masat e nevojeshme sipas ligjit, nga organet pergjegjese. Vecanerisht tashme kur gazetari ka bere denoncimet perkatese.
Jo thjesht per te mbrojtur nje qytetar, por dhe nje gazetar per shkak te aktivitetit profesional te tij. Kushdo, qe mund te kete objeksione per informacionin apo lajmin mund te shfrytezoje te gjitha rruget ligjore per te kerkuar zbardhjen e se vertetes. Ne lidhje me kete ngjarje te rende, desheroj te pershendes dhe organizmat profesionale te medias, shqiptare e te huaja, qe reaguan duke mbrojtur te drejten e gazetarise per informacion te opinionit publik”, shkruan Shehu.
Gazetari i Report TV në qytetin e Gjirokastrës, Piro Nase u kërcënua nga familjaret e shefit të Krimeve në PËrmet, pas raportimit se ai ishte pezulluar nga detyra për shkak se kishte pasur dijeni për abuzimin seksual të 16-vjeçares nga Këlcyra nga njerku polic dhe kolegu i tij dhe nuk kishte marrë masa.
Lidhur me këtë ngjarje më herët reago edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, të cilët kërkuan reagimin e menjëhershëm të organeve ligjzbatuese dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i tronditur nga kërcënimet ndaj kolegut tonë të Report TV Piro Nase. AGSH është vënë në dijeni të një kërcënimi me jetë ndaj gazetarit Piro Nase nga familjarët e shefit të Krimeve në Përmet i pezulluar pas raportimeve se ishte në dijeni të një abuzimi seksual me të mitur. Menjëherë pas lajmit të raportuar nga Nase, ai ka marrë telefonata kërcënuese nga familjarët e efektivit për të cilat AGSH është vënë në dijeni dhe ka mundur të shohë e dëgjojë provat e kërcënimit. Ne kërkojmë me urgjencë që strukturat e policisë dhe Prokuroria e Gjirokastrës të nisin menjëherë hetimet dhe të vendosin përgjegjësisë autorët e kërcënimeve. Ne i qëndrojmë në krahë kolegut Nase dhe e inkurajojmë atë të vijojë shërbimin ndaj qytetarëve me korrektësi dhe guxim.”, thuhej në reagim.