Vrasja e dy të rinjve në Manëz, Adriatik Lapaj: I veshën nënat me të zeza për një dreq kafe të helmatisur! E pabesueshme

Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka reaguar për lajmin e kobshëm që tronditi opinionin publik mëngjesin e kësaj të mërkure, ku dy të rinj u vranë me armë zjarri në një lokal në Manëz të Durrësit, pas një konflikti banal për një kafe.
“2 të rinj. Shumë të rinj. Të dy lëviznin me armë në brez. (nga sa informacion ka deri tani) U vranë për 1 kafe. As nuk i vodhi kush kujt gjë! Thjesht, kamarieri e kishte fikur ekspresin e nuk shërbente në atë orë.
I veshën nënat me të zeza. I lanë baballarët me lot në sy. I hidhëruan të afërmit për një dreq kafe të helmatisur! I hapën shoqërisë tonë të stërvuajtur një tjetër plagë. Çfarë ndjesie e kobshme!
Më duket sikur po jetoj në një vend imagjinar! Më duket kaq e pabesueshme! Lutem për familjet e tyre të gjejnë forcë! Lutem për vendin tonë të gjejë rrugën”, shkruan kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj.
Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 01:45, brenda ambienteve të një lokali në Manëz, në afërsi të një pike karburanti. Viktimë mbetën Aranit Kurti dhe Flori Paluçi, ndërkohë në kërkim është shpallur Daniel Pepa.
Aranit Kurti bashkë me Daniel Pepën i kërkuan kamarierit që t’i bënte një kafe, por ky i fundit u ka thënë se ekspresi është i fikur. Sipas informacioneve paraprakej, Danieli i ka kërkuar që ta ndezë ekspresin duke përdorur edhe fjale fyese në drejtim të kamarierit. Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi dhë mes tyre ka nisur një debat verbal i cili kla degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Paluçi qëlloi me armë zjarri në drejtim të Kurtit, i cili fatkeqësisht humbi jetën. Ndërkohë, Daniel Pepa, mik me 23-vjeçarin, ka shkuar dhe ka marrë armën në makinën e tij dhe më pas ka qëlluar drejt 33-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend.