Vladimir Mara dhe Adnan Xholi kqyrën vendin e ngjarjes, reagon zyrtarisht SPAK: Shteti të ndërhyjë me urgjencë për sigurinë tonë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar për vrasjen gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit gjatë kohës që po kryente detyrën.
SPAK i shpreh ngushëllimet familjes Kalaja ndërsa bashkohet me të gjithë gjyqtarët, avokatët, prokurorët e të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë që përballen me vështirësi e sfida gjatë kryerjes së detyrës.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes menjëherë kanë mbërritur dhe dy prokurorët e SPAK, Vladimir Mara dhe Adnan Xholi, të cilët janë fotografuar nga mediat në ambientet e jashtme të gjykatës.
Reagimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm. Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës. Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme.