VIDEO/ Familja Shkambi dhe pronat, ja si i akuzonte në parlament Jozefina Topalli

Ishte viti 2017, kur emri i Pal Shkambit, kusheriri i Gjon Shkambit, do të provokonte përplasje të forta mes ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe Kryeministrit Edi Rama, për shkak të përfshirjes së tij në Komisionet e Vettingut.

Në një seancë të jashtëzakonshme të zhvilluar më 17 qershor 2017, Jozefina Topalli ngriti akuza të rënda ndaj përzgjedhjes së Pal Shkambit si pjesë e strukturave që do të ndihmonin në ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë dhe procesit të Vettingut.

Topalli denoncoi publikisht se Pal Shkambi, përveçse ishte person me procese gjyqësore të mbyllura në mënyrë të dyshimtë, ishte gjithashtu edhe kryetar partie – gjë që sipas saj binte ndesh me kushtetutën dhe kriteret për përfshirjen në komisionet e Vettingut.Jozefina Topalli në Kuvend: Kjo është e rëndë dhe nuk më shkon mendja të votoj në bllok njerëz të cilët kanë mbyllur procese personale gjyqësore duke paguar para dhe që sot do i mbani në majë të vettingut për të bërë purifikimin e sistemit të drejtësisë?! Po kujt ja thoni këto?! Kush është kjo Republika e Pal?! Jo zotëri, unë nuk e votoj.

Përfshirjen e Shkambit në këtë listë, Topalli e quajti shkelje të Kushtetutës, duke akuzuar mazhorancën se po e përdorte procesin e Vettingut për qëllime politike dhe personale.

Reagimi i Ramës nuk vonoi. Kryeministri mohoi çdo njohje me Pal Shkambin dhe hodhi poshtë akuzat e Topallit si të pabaza. Edi Rama nga foltorja e Kuvendit: Jozefinë, listës i hodha një sy dhe nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e di ku mi gjete gjithë këta miq e shokë. Në këtë listë unë nuk kam asnjë mik. Këtë Pal Shkambin po e dëgjoj për herë të parë. Ndoshta ti e di, unë s’e di.

Edhe Instituti i Studimeve Politike (ISP) në atë kohë kritikoi përzgjedhjen e Pal Shkambit, duke deklaruar se ai nuk duhej të ishte zgjedhur në Komisionet e Vettingut, pasi kandidatura e tij binte ndesh me kriteret kushtetuese dhe ligjore.

Kush është Pal Shkambi, kusheriri i Gjon Shkambit?

Pal Shkambi është kushëriri i Gjon Shkambit, një emër i përfolur në opinionin publik që prej vitit 2017, kur u përfshi në listën për Komisionet e Vettingut, duke shkaktuar përplasje politike në Kuvend mes Jozefina Topallit dhe Edi Ramës. Përveç kësaj, ai është përmendur në një dëshmi publike nga juristja Jozefina Traboini, e cila e akuzon si zaptues të pronës së familjes së saj në zonën industriale të Shkodrës.

Nga Jozefina Traboini

Unë nuk e njoh Gjon Shkambin as Gjovalin Shkambin, unë njoh Pal Shkambin.
Nana jeme e ndjerë asht e bija e Ndrek Tom Kurbinit. Ndrek Tom Kurbini ishte tregtar, dhe pronar i një pjese toke prej 30 dylymesh, tokë që besoj e njeh mirë Shkodrën, prej te Ish-Metalikja e deri tek ish-Nesheneja — ka kenë pronë e gjyshit tem, 30 dylym tokë, e din tanë Shkodra, tanë Qeveria, tanë Bashkia, tanë njerzia.

Unë jam juriste dhe pronave të nanës teme i kam ra mbrapa tash 30 vjet. Janë të njohuna me vendim të Kthimit të Pronave; Shoqata e pronarëve e di mirë këtë pronë. Kjo pronë ka çertifikatë pronësie dhe asht e regjistrueme qysh në 1930, dalë këto nga Arkiva e Shtetit Shqiptar, me harta, me kordinata, me genplane, me planimetri e me gjithë dokumentacionin qysh në atë kohë — që përveç familjes Kurbini, këto dokumenta nuk i posedon askush.

Familja Shkambi ka ra në Shkodër në vitin 1991, kur ra sistemi, dhe nuk e di për këtë ndërtesë e për këtë emër — që më vjen keq që kjo gja ka ndodh kështu. Unë po flas për Pal Shkambin, zaptuesin e tokës së Ndrek Tom Kurbinit. Ai e di shumë mirë, sa kur nana jeme, me tezet e mia dhe vëllanë e vet — trashëgimtarët direkt të pronësisë së babës së vet — ky Zoti Pal Shkambi i ka dalë me kallash në dorë dhe u ka thanë:

“Ikni, plaka, se 2 metra vend ju pret ju!”

Këtë e di gjithë populli i Shkodrës, gjithë zona industriale, e gjithë Bashkia, Gjykata e Qeveria.
E ripërsëris, nuk po flas për Zotin Gjin Shkambi dhe për këtë godinë — nuk janë këta — po flas për Pal Shkambin.

Tokat kanë zot, dhe pronarët e ligjshëm kurrë nuk janë pyetë. I kanë marrë pronat që në 1945 dhe kanë ba çfarë kanë dashtë me to. Aty e ka marrë para krimi i kuq tash 100 vjet, dhe prona nuk shkon kurrë te i Zoti, por te i PaZoti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT