Ultimatumi për Fatos Nanon dhe grushti i shtetit në ’98, KALLËZOHET në SPAK Sali Berisha dhe 9 të tjerë: Nuk ishte spontan pas vrasjes së Hajdarit

Një tjetër dosje hetimore është depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kësaj here për ngjarjet e 14 shtatorit 1998, lidhur me organizimin e gushtit të shtetit me protagonist ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ka qenë avokati Idajet Beiqir ai i cili në kallëzimin penal ka theksuar se në këtë datë, Partia Demokratike, nën drejtimin e kryetarit të saj të atëhershëm, i cili ka qenë Sali Berisha, organizoi një akt të dhunshëm dhe të mirëplanifikuar për marrjen me forcë të institucioneve shtetërore.

Objektiva të sulmeve ishin Kryeministria, Radio Televizioni Shqiptar, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Kulturës, si dhe zyra e kryetarit të Kuvendit, ku u hodh një granatë.

Sipas kallëzimit, ky nuk ishte një reagim spontan ndaj vrasjes së Azem Hajdarit, më 12 shtator 1998, por një skenar i përgatitur më herët dhe se qëllimi i organizatorëve ishte rrëzimi i qeverisë së atëhershme, të Fatos Nanos.

“Organizatorët e grushtit të shtetit kishin planifikuar në mënyrë ”perfekte” gjithçka që i shërbente realizimit të tij me sukses. Hetimet që u bënë për grushtin e shtetit zbuluan në Ministrinë e Rendit se gjatë zhvillimit të tij, të gjithë urdhrat që jepeshin nga Ministria e Rendit për njësitë e saj operative përfundonin në zyrat e Partisë Demokratike. Shumë kohë përpara fillimit të grushtit të shtetit, njerëzit e Partisë Demokratike në Ministrinë e Rendit e kishin lidhur qendrën operacionale të Ministrisë së Rendit me telefonat e selisë së Partisë Demokratike.

Të gjitha këto fakte tregojnë se grushti i shtetit i 14 shtatorit të vitit 1998 nuk ishte një ngjarje spontane, që e provokoi vrasja e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ai po përgatitej me kohë. Në këtë kuptim, grushti i shtetit i 14 shtatorit të vitit 1998 ishte një ngjarje e paralajmëruar. Atë nuk e kuptuan ose nuk deshën ta kuptojnë vetëm Qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit. Prandaj u treguan të paafta për ta frenuar paraprakisht dhe të papërgatitura për ta përballuar kur grushti i shtetit u zhvillua”, thuhet në kallëzimin e depozituar më 15 tetor 2025 nga avokati Beqiri.

Personat ndaj të cilëve është depozituar kallëzimi:

Sali Berisha

Ridvan Bode

Genc Pollo

Shaban Memia

Pal Dajçi

Ekrem Spahiu

Frrok Gjini

Dem Dollapi

Alfons Zeneli

Artur Bejzade

Çfarë ndodhi më 14 shtator 1998! Si u morën peng Kryeministria, Ministritë dhe RTSH-ja; militantë të armatosur kërkuan të rrëzonin Qeverinë Nano:

Më 14 shtator 1998 mijëra persona të irrituar për vrasjen e Azem Hajdarit tentuan të rrëzonin Qeverinë e drejtuar nga Fatos Nano. Grupe të armatosura morën peng për disa orë Kryeministrinë, RTSH, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, ndërsa një granatë u hodh në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi. Godina e Kryeministrisë u mbush me plumba.

Ultimatumi për Fatos Nanon dhe grushti i shtetit në ’98,

Kallezimi ne SPAK (dokumenti i siguruara nga Shqiptarja)

Sali Berisha i la një ultimatum Fatos Nanos që të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Ultimatum që Nano nuk e mori parasysh.

Rreth orës 10:00 të paradites së 14 shtatorit, kryeministri njofton për një skenar destabilizues. Një orë më vonë, kortezhi mortor, një pjesë e armatosur, drejtohet drejt Kryeministrisë. Një grup personash e çojnë arkivolin për nga dera e Kryeministrisë, ndërsa të tjerë qëllojnë me armë. Kryeministria braktiset nga punonjësit, ndërsa protestuesit sulmojnë me granatahedhës dhe bomba.

Mediat botërore e ndoqën lajmin dhe e raportuan atë si një grusht shteti të mirëfilltë. Në fakt ngjarja kishte të gjitha elementet e një grushti shteti. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët kryesore të Tiranës ishin mbushur me tanke dhe civilë që qëndronin mbi to. Njëherësh me Kryeministrinë, persona të armatosur morën nën kontroll edhe Radio Televizionin Shqiptar.

Për disa orë ata ishin edhe personat që ju treguan gazetarëve dhe moderatorëve të asaj kohe se çfarë duhet të thonin për shqiptarët që ndiqnin me ankth ngjarjet e Tiranës.

Përcjellja për në banesën e fundit e Azem Hajdarit u kthye në një kryengritje të armatosur. Tirana kaloi orë të vështira për gjatë gjithë datës 14 shtator dhe nuk dihej se si do shkonin ngjarjet nëse nuk do ishte ndërhyrja energjike e diplomatëve amerikanë.

Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi grushtin e shtetit dhe deklaroi se nuk njihte asnjë pushtet që dilte nga dhuna. Po atë pasdite, Ambasadorët e SHBA-BE në Tiranë i dërguan mesazh Fatos Nanos që të mos jepte dorëheqjen, ndërsa e garantuan se nuk do të njihnin asnjë pushtet të dalë nga dhuna.

Në 14 shtator 1998 ora 19.00, Ministri i Brendshëm Perikli Teta jep ultimatumin për dorëzimin e TVSH-së. 3o minuat më vonë, dorëzohen grupet e armatosura të PD-së dhe ministri Perikli Teta deklaron se kishte dështuar tentativa për grusht shteti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT