“Trafiku i armëve në rritje”, eksperti i kriminalistikës ngre alarmin: 6 grupe të rrezikshme në Lezhë! 306 familje të ngujuara nga frika e hakmarrjes

Një arsenal i madh armësh është kapur sot zonën e Myslym Shyrit në kryeqytet. 23 armë zjarri po transportoheshin me fugon në magazinën ku ruheshin ndërsa në pranga u vu 34-vjeçari Eugert Sino ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Eksperti i kriminalistës, Ervin Karamuço tregon se grupet kriminale shqiptare sot, kanë një uri të tmerrshme si dhe fuqi financiare për të blerë armë të standardeve të larta të prodhimit ndërkombëtar.
Karamuço tregon se këto armë të sofistikuara përdoren kryesisht për të organizuar atentate në distancë për të mos lënë gjurmë. Ai tregon se janë 3 linja kryesore që sot furnizojnë Shqipërinë, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.
“Tregu shqiptar ka uri të madhe për armë të reja. Janë fuqizuar grupet kriminale, dhe kanë fuqinë financiare për të blerë armë të trafikut ndërkombëtar.
Po ndërrohet arsenali, po kërkojnë armë të reja moderne. Armë për të asgjësuar deri në 800 metra distancë. I kemi pas në Sky Ecc sesi kërkonin mënyrat më të mira për të mos lënë gjurmë në atentate. Këto janë armë që organizojnë në formë shumë të mirë nga distanca të atentateve.
Disa nga këto armë, janë të prodhimit slloven. Vijnë nga Sllovenia, Bosnjë, mal i zi dhe më pas në Shqipëri. Është dhe linja e industrisë ushtarake të Serbisë dhe linja turke”, tha Karamuço.
Ndër të tjera, Karamuço thotë se në Shqipëri momentalisht baza më e madhe për magazinimin armëve është në Lezhë ku rreth 306 familje apo fise ruhen dhe presin për tu goditur.
“Arsenali më i madh i armëve në Shqipëri është në Lezhë. Janë 306 familje që rrinë të ngujuara dhe presin kur do të goditen. Janë 6 grupe shumë të rrezikshme kriminale që mund të shpërthejnë nga çasti në çast dhe janë shumë mirë të armatosur”, tha ai.
Konkretisht sot në Tiranë u sekuestruan 12 janë pistoleta të llojeve “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”; 6 armë automatike; 5 armë me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper); 1 silenciator; 17 krehra për armë zjarri të ndryshme; pjesë të ndryshme armësh zjarri; 15 000 fishekë; 17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia; 12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë; pajisje elektronike gjurmuese (GPS); pajisje për bllokimin e valëve; pajisje për numërimin e kartëmonedhave; 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.