Sokol Sadushi “shkund” Këshillin e Lartë Gjyqësor: Jeni në gjumë, Kushtetuta u ka dhënë zë të flisni me forcë në emrin tonë! Na mbroni, mos ruani ekuilibra të rremë

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka “shkundur” Qeverinë e Gjyqësorit, siç quhet Këshilli i Lartë Gjyqësor i drejtuar nga Ilir Rusi, duke kërkuar nga ky institucion të veprojë mbi rolin që i ka caktuar Kushtetuta, të flasë me forcë në emër të gjithë gjyqtarëve të Republikës.

Ai ka ngritur zërin, duke thënë përpara 260 kolegëve, se Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit, nuk mund të heshtë shumicën e kohës dhe të reagojë vetëm ndonjëherë, kur situata bëhet e papërmbajtshme.

“Kjo qasje është e pakuptueshme dhe e papranueshme. KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta, jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë e dinjitet në emër të gjithë gjyqësorit. Është organ qeverisës, jo zyrë teknike; është përfaqësues i sistemit, jo zgjatim i heshtjes institucionale.

Ai duhet të dijë t’u thotë pushteteve të tjera, me zë të lartë e të qartë, në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori, cilat janë plagët e tij, cilat janë nevojat e tij dhe cilat janë pasojat e mosveprimit. KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konformuar”, është shprehur Sokol Sadushi.

Sipas tij, Këshilli nuk mund të jetë një organ që përshtatet me rrethanat; ai duhet të jetë një organ që i ndryshon ato dhe gjyqtarët që janë zgjedhur në këtë organ kolegjial nga Ata vet, gjyqtarët e Republikës, duhet ta kuptojnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm.

“Ata nuk janë atje për të heshtur apo për të ruajtur ekuilibra të rremë; janë për të mbrojtur sistemin nga rrënimi dhe mosrespektimi. Nuk duhet të harrojnë se shumë shpejt, pas përfundimit të mandatit, do të kthehen në gjykatat nga të cilat kanë ardhur; dhe atëherë do ta ndjejnë vetë se sa e rëndë është pasojë e mosveprimit të tyre”, vijoi fjalimi.

Sokol Sadushi, u shpreh gjithashtu, se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka detyrimin ligjor të garantojë kushtet e ushtrimit të funksionit gjyqësor, por prej kohësh ky detyrim është lënë pas dore.

“KLGJ ka ngurruar të marrë vendime të forta për sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve, për modernizimin e godinave të gjykatave dhe për plotësimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturore. Ka vonesa të pajustifikueshme në emërime, në ngritje në detyrë, në ndarjen e ngarkesave të punës. Ka mungesë koordinimi me organet e tjera kushtetuese dhe ligjore. Askush nuk flet për sigurinë, për kushtet e punës, për dinjitetin e gjyqtarit”, theksoi kryetari i Gjykatës së Lartë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT