Socialistët “blindojnë” Shkodrën me dy kryetarë, dy ish-kandidatë për deputetë marrin drejtimin e PS-së në qarkun verior

Partia Socialiste ka zyrtarizuar emrat e rinj që do të udhëheqin strukturat në një nga qarqet më të rëndësishme dhe sfiduese politikisht: Shkodrën.

Kejsi Spahija dhe Marjan Ndershtiqaj, dy figura të reja por me eksperiencë elektorale, janë emëruar bashkëkryetarë të PS për qarkun verior. Dy ish kandidatët për deputetë shihen si një lëvizje për forcimin dhe riorganizimin e së majtës në këtë zonë historikisht konservatore.

Vendimi është marrë me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, drejtuesit politik të qarkut, Benet Beci, si dhe anëtarë të Asamblesë Socialiste të Shkodrës. Natyrisht, ky angazhim është prestigj dhe përgjegjësi e madhe për të dy të zgjedhurit. Një gjë të tillë, ata e kanë shprehur edhe në rrjetet sociale.

Kejsi Spahija, e cilësoi ditën si një moment të mbushur me emocion dhe reflektim, duke falënderuar krerët e PS-së për besimin dhe duke vënë theksin te përgjegjësia që lidershipi i ri ka përballë strukturave dhe qytetarëve.

“Mirënjohje për Kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama, dhe drejtuesin politik të qarkut Shkodër, z. Benet Beci. Përgjegjësi për çdo socialist të vjetër që me përkushtim e solli partinë deri këtu dhe për ne, brezin e ri, që duhet ta çojmë përpara me dinjitet e përkushtim”, shkruan ndër të tjera Spahija.

Ndërsa, Marjan Ndershtiqaj shprehej: “PS nuk është vetëm një forcë zgjedhore, por një forcë për ndryshim.Partia Socialiste nuk është vetëm një forcë zgjedhore. Ajo është një forcë për ndryshim, për solidaritet, për barazi dhe për një shoqëri që fuqizon të rinjtë dhe gratë, që beson në drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

POSTIMET E PLOTA TË DY KRYETARËVE TË RINJ:

Kejsi Spahija: Sot ishte një ditë e mbushur me emocion e reflektim për mua dhe Marjan Ndershtiqaj. Në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm Blendi Klosi , Drejtuesit Politik të qarkut Benet Beci dhe Asamblesë së Partisë Socialiste Shkodër, ndjeva dy ndjesi të thella që më shoqërojnë fort në këtë rrugëtim: mirënjohje dhe përgjegjësi.

Mirënjohje për Kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama , dhe për drejtuesin politik të qarkut Shkodër, z. Benet Beci, për besimin dhe mbështetjen e tyre. Përgjegjësi për çdo socialist të vjetër që me përkushtim, ideal dhe qëndresë e solli partinë deri këtu, dhe për ne,brezin e ri,që na takon ta çojmë përpara me dinjitet e përkushtim, duke ndërthurur eksperiencën e të vjetërve me energjinë e të rinjve. Ky është misioni ynë i përbashkët: ta mbajmë gjallë frymën socialiste në Shkodër, me zemër, me vlerë dhe me vizion për të ardhmen.

Marjan Ndershtiqaj: Sot fillon një angazhim i ri për mua në detyrën si Kryetar i Partisë Socialiste për Shkodrën. Është një përgjegjësi që e pranoj me seriozitet dhe dëshirën për të punuar bashkë me secilin që beson se ky qytet meriton më shumë. Partia Socialiste nuk është vetëm një forcë zgjedhore. Ajo është një forcë për ndryshim, për solidaritet, për barazi dhe për një shoqëri që fuqizon të rinjtë dhe gratë, që beson në drejtësi dhe në zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë moment të rëndësishëm, dua të shpreh mirënjohjen time për Sekretarin e Përgjithshëm @blendi_klosi , drejtuesin politik të qarkut Shkodër @becibenet , dhe veçanërisht për Kryeministrin, z. @ediramaal , për besimin dhe mbështetjen e dhënë në këtë rrugëtim të ri. Së bashku me @kejsi_spahija si bashkëkryetare do angazhohemi për të ndërtuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi për të ardhmen e Shkodrës. Jemi të gatshëm të dëgjojmë, të punojmë dhe të bashkëpunojmë me çdo qytetar, çdo strukturë, dhe me çdo individ që ka vizion dhe dëshirë për të kontribuar. Ky nuk është një mision individual. Ndaj le ta nisim këtë rrugëtim së bashku. Le të jetë Shkodra shembulli më i ndritshëm i progresit dhe qytetarisë, një vend ku çdo hap përpara shënon forcën e bashkëpunimit dhe përkushtimit ndaj së mirës së përbashkët.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT