“S’ka familje në Kosovë pa dhimbje”, Haradinaj: 100 dëshmorë i kam në oborr! Albin Kurti ka fobi Shqipërinë…

Deputeti i AAK, Daut Haradinaj, ka komentuar për “Euronews Albania” protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që u mbajt në mes të Tiranës dhe për tensionet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Për këtë të fundit, Haradinaj tha se nuk e ka trajtuar në mënyrën e duhur çështjen e UÇK-së.

“E para është se Kurti ka katër vite që nuk e ka frekuentuar Shqipërinë. E ka pak fobi Shqipërinë, pavarësisht sloganit të tij ‘bashkim kombëtar’. Vitin e kaluar ka shkuar në Greqi 27 herë, ndërsa Shqipërinë nuk e ka vizituar asnjëherë gjatë atij viti.”-tha Haradinaj.

I pyetur se si ua shpjegon fëmijëve luftën e Kosovës, Daut Haradinaj tha se përpiqet të mos i ngarkojë me të kaluarën.

“Mundohem sa më pak t’i ushqej me të kaluarën, sepse detyrimisht i ushqej me urrejtje ndaj një pale tjetër. Por nuk mund t’i iki të vërtetës, pasi kam anëtarë të familjes që kanë rënë dëshmorë gjatë luftës. Që të kaloj tek familja ime, duhet të kaloj tek 100 dëshmorë që i kam tek oborri i shtëpisë.

Gjendja reale në Kosovë flet vetë, nuk ka nevojë për shumë shpjegime. Nuk ka familje që nuk e ka përjetuar dhunën në një formë apo në një tjetër – jo domosdoshmërisht me gjak.

Nuk ka familje shqiptare që nuk ka strehuar një familje nga Kosova. Është një emocion që njerëzit duhet ta përjetojnë vetë, jo për t’u marrë shumë me të kaluarën, sepse tani jemi në një epokë të re. Qëllimi ynë është diçka tjetër. Sa më shumë merremi me të ardhmen, aq më shumë e rrisim vlerën e së kaluarës.”-u shpreh Haradinaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT