Rruspat e IKMT u rikthyen në Theth, reagon Edi Rama: Kush ndërton më pa leje, investon vetëm për belanë e vet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për operacionin e prishjeve që ka rinisur sërish në fshatin turistik të Thethit. Rruspat e IKMT-së, të mbështetura nga Policia e Shkodrës, mbërritën në zonën e veriut në orët e vona të mbrëmjes dhe sot në mëngjes rinisën prishjet.
“Kush ndërton më pa leje, investon vetëm për belanë e vet. Theth përsëri dhe kudo përsëri e përsëri, deri në fund, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan kryeministri Edi Rama, teksa ndan pamjet e mëposhtme.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit – IKMT ka njoftuar dhe vet mëngjesin e kësaj të shtune, datë 4 Tetor, se ka rinisur prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit.
“Janë evidentuar 13 objekte me konstruksione betonarme dhe dru. Pavarësisht aksionit të fundit në këtë zonë pak muaj më parë, konstatojmë se ka akoma individë që refuzojnë të pranojnë se lufta ndaj ndërtimeve të paligjshme është pa kthim”, thotë njoftimi.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit u bën thirrje subjekteve dhe qytetarëve, se zbatimi i ligjshmërisë, mbrojtja e natyrës dhe e mjedisit duhet të jetë detyrim për të gjithë.