Rrëfehet Arjan Ndoja: Nga atentati i Durrësit tek lidhjet me “krimin”! Përplasjet me Ramën, Braçen, vettingun, njohja me Berishen dhe a ka marrë vota nga “kriminelët”

Ish-prokurori Arjan Ndoja, tashmë deputet i zgjedhur nga radhët e demokratëve, ishte i ftuari i radhës në “Ma Shqip” me Flamur Vezaj, duke rrëfyer për herë të parë atentatin ndaj tij në Durrës.
Sipas Ndojës, nga verifikimet personale ka konstatuar se objekt i atentatit ka qenë ai, por ende nuk ka mësuar motivin.
“Unë kam pyetur dhe nga ajo që kam mësuar mendoj se objekt i atentatit kam qenë unë, nga mënyra e të shtënave dhe predhat që kanë goditur makinën. Por ka edhe një diskutim tjetër: në këto bisedat e ‘Sky’-t janë gjeneruar disa të dhëna, ku personi që ka qenë me mua në makinë, Pëllumb Muharremi, ka qenë objekt, pasi dyshohej se ai kishte marrë pjesë në një atentat ndaj tyre. Por këto janë vetëm fjalë”–tha Ndoja, duke shtuar se sulmi verbal dhe publik i kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv/kryeministrit Erion Braçe e bënë që atentatorët të mendonin se ishte momenti ideal për ta sulmuar me armë.
Sipas Ndojës, në çështjen e arrestimit të zyrtarëve të Kadastrës kishte interesa personale edhe Erion Braçe, i cili erdhi dhe bëri presion deri në sallën e gjyqit.
Nga ana tjetër, Ndoja foli edhe për videon e publikuar në media, duke shpjeguar se ishte takimi i parë me Olsi Ramën dhe nuk kishte mundësi të fliste për sulmin që i vëllai i tij, kryeministri Rama, kishte ndërmarrë ndaj tij.
Ish-prokurori Ndoja mohoi kategorikisht njohjen me Xhevdet Troplinin, i njohur si Poja, dhe se ai ka qenë prezent në atë takim në Kukës.
Gjatë bisedës, gazetari Vezaj e pyeti Ndojën edhe për dyshimet se grupet kriminale në Durrës e kanë ndihmuar për të siguruar votat për Parlamentin.
Por sipas Ndojës, kjo nuk është e vërtetë: “Unë nuk jam votuar nga grupe kriminale, këtë e kanë verifikuar edhe kolegët tuaj gazetarë. Unë kam marrë vota nga miq dhe të njohur në zonën e Durrësit,” – tha Ndoja, duke ftuar këdo që ka prova të dalë e ta denoncojë.
Sa i përket përfshirjes së emrit të tij në listat e hapura të PD-së, Ndoja thotë se nuk e ka takuar Sali Berishën personalisht asnjëherë: “Ndoshta është dashur të hyja më herët në politikë, që të mbrohesha nga sulmet e kësaj mazhorance, pasi sulmet e tyre më bënë që të futem në garë për në Kuvend. Por asnjëherë nuk e kam takuar personalisht Sali Berishën, vetëm në takime publike gjatë fushatës elektorale,” – tha Ndoja, duke shtuar se ishin miqtë dhe strukturat e PD-së në qarkun e Durrësit që e propozuan.
Në këtë intervistë, Ndoja foli edhe për hetimin e SPAK ndaj tij: “Unë isha viktimë e një atentati, por SPAK më hetoi sikur të isha autor. Por mirë bëri, sepse nxorri të vërtetën që unë nuk kisha bërë asgjë të paligjshme.”
Ai u pyet gjithashtu edhe për pasuritë në Gjirin e Lalzit dhe kontratat, të cilat sipas Ndojës janë fituar nga bashkëshortja e tij me punën si avokate.
Ndoja foli edhe për shkarkimin nga Vettingu dhe implikimin e disa anëtarëve të tij në politikë, duke përmendur rastin e deputetit Olsi Komiçi, njëkohësisht njeri i afërt i Taulant Ballës në Kuvend.
Në vijim, ai kujtoi arsyen e shkarkimit nga ish-prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku në vitin 2004 dhe gjyqin që fitoi përballë tij.
Gjithashtu dha opinionin e tij për SPAK-un si institucion, për Shkollën e Magjistraturës që sipas tij ka ulur cilësinë e studentëve, për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, për arsyet e largimit të shqiptarëve nga vendi dhe për angazhimin e tij publik si deputet.