Raporti i KLSH-së trondit shëndetësinë: Shteti lë pa barna pacientët me kancer, kompanive farmaceutike u falen miliona lekë gjoba

Një raport i muajit shtator i “gatuar” në Kontrollin e lartë të Shtetit ka hedhur dritë mbi një skandalet më të mëdha në sistemin shëndetësor shqiptar. Në vend që të mbrojë jetën e qytetarëve, ky sistem duket i zhveshur nga përgjegjësia, duke lënë pacientët onkologjikë pa barna jetike. Ndërsa kontratat farmaceutike dështojnë dhe gjobat milionëshe nuk zbatohen kurrë.
Është gazetari Osman Stafa që ka publikuar një pjesë të këtij raporti, ku auditi i KLSH-së zbuloi se për vite me rahdë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në struktura të tjera spitalore, pacientët me kancer kanë mbetur pa trajtim të plotë për shkak të mungesës së barnave esenciale. Raporti liston dhjetëra emra barnash si Erlotinib, Carbopaltin, Ifosfamide, Mensa, Trastuzumab, Methortrexate dhe Doxorubicin, të cilat në disa raste mungonin plotësisht. Ndërsa në raste të tjera rezultonin si stok aktiv në sistemin elektronik Pentaho, edhe pse kishin skaduar. Kjo, sipas KLSH, rrit në mënyrë dramatike rrezikun që barna të pavlefshme të përdoren nga pacientët që enden spitaleve me shpresë për jetën.
Në të njëjtën kohë, kontratat trepalëshe, mes FSDKSH, QSUNT dhe importuesve farmaceutikë janë shkelur në mënyrë të përsëritur. Vetëm gjatë periudhës së auditimit janë evidentuar 49 raste vonesash të pajustifikuara në furnizimin me barna, për të cilat ishin parashikuar penalitete prej 49 milionë lekësh. Por, këto penalitete nuk janë aplikuar asnjëherë, duke e lënë të paprekur barrën financiare për kompanitë private dhe duke e transferuar pasojën te pacientët që vuajnë sëmundje të rënda.
Raporti nënvizon gjithashtu se mungesa e protokolleve të përditësuara mjekësore, dobësia e mekanizmave të kontrollit dhe menaxhimi i dështuar i stoqeve kanë krijuar një zinxhir dështimesh që përfshijnë çdo hallkë të sistemit shëndtësor. Në disa raste, mjekët janë detyruar të përshkruajnë receta të dyfishuara ose të paplotësuara, duke e bërë të pamundur vazhdimësinë e terapisë.
Edhe pse kjo është vetëm një pjesë e raportit, vërehen shkeljet e rënda të organeve përgjegjëse për mbarëvajtjen e sistemit shëndetësor, konkretisht te pacientët me kancer. Në vend që të mund të bëhet maksimumi për shpëtimin e jetëve të këtyre njerëzve që orvaten dyerve të spitaleve, sistemi shëndetësor ka dështuar sipas raportit të fundit të KLSH-së: Kontrata të dështuara, barna të skaduara dhe përgjegjësi të paekzekutuara.