Pronari i Restorant MURAGA u arrestua sot me pistoletë pa leje, PAMJET: Kur shokët e Ervis Martinaj i vranë mikun para syve, mbreti i kumarit “ia hodhi paq”

Ismet Gaxheri, pronari 39 vjeçar i restorant “Muragës” në Linzë, është arrestuar këtë të mërkurë nga Policia e Tiranës, pasi gjatë kontrollit të mjetit me të cilin ai lëvizte në zonën e bulevardit “Bajram Curri”, iu gjet një armë zjarri pistoletë.

“Në bazë të informacioneve të siguruara, në bulevardin “Bajram Curri”, u ndalua automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin Ismet Gaxherri, 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit, u gjet në automjet, 1 armë zjarri pistoletë me municion, të cilët 39-vjeçari e posedonte pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, shtetasi I. G. u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njoftoi Policia e Tiranës, sot më datë 22 Tetor.

Ismet Gaxherri është një emër i njohur për Policinë dhe drejtësinë shqiptare, por që për rreth një dekadë ka mundur të qëndrojë “në hije”, për shkak të një ngjarje që ndodhi para restorantit të tij në periferi të Tiranës, kur sapo e kishte hapur “Muragën”.

Vrasja e Enton Nika te restorant Muraga në 2015

Më 11 Nëntor 2015, sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, Ervis Martinaj, Emiljano Tasho, Bujar Hasani dhe Mirsad Kuçana kanë konsumuar një drekë te Restorant Muraga. Në momentin që kanë hipur në automjetin me të cilin kishin shkuar atje, kanë parë nga larg pronarin Ismet Gaxherri dhe shtetasin Enton Nikaj.

Ervis Martinaj menjëherë është shprehur “Erdhi ky që më ka ca lekë borxh”, ndërsa Ismet Gaxherri i është drejtuar me “Viso, çkemi”. Siç rezulton në dosje, Martinaj i ka thënë se nuk kishte punë me të, pra me Gaxherrin, dhe se i ishte drejtuar Nikajt duke i thënë “O çuni hajde një sekondë”.

Pronari i Restorant MURAGA u arrestua sot me pistoletë pa leje, PAMJET: Kur

Pak momente para vrasjes se Enton Nikaj, Martinaj kap nga qafa viktimen

Pas një shkëmbimi të shkurtër fjalësh, njëri prej personave që ka zbritur nga mjeti ka nisur të godasë me grushta shtetasin Enton Nikaj. Në këtë moment, dy prej shoqëruesve të agresorit kanë mbajtur në duar mjete, të cilat krijojnë dyshimin se janë objekte luftarake, tip pistoletë.

Në këtë moment, ka ndërhyrë me qëllim për t’i ndarë shtetasi Ismet Gaxherri, i cili shoqëronte viktimën e mëvonshme, Enton Nikaj. Menjëherë, personat agresorë kanë goditur me pjesën fundore të pistoletës, shtetasin Gaxherri, i cili është rrëzuar në tokë, i gjakosur. Më pas, veprimet e dhunshme kanë vijuar mbi shtetasin Enton Nikaj.

Brenda pak çasteve, agresorët kanë hipur në mjet, ndërkohë që shtetasi Nikaj ka qenë i shtrirë në tokë, i qëlluar me armë zjarri në pjesën e qafës, i cili kishte pësuar vdekje të menjëhershme.

Pronari i Restorant MURAGA u arrestua sot me pistoletë pa leje, PAMJET: Kur

Viktima Enton Nikaj

Në vijim të dinamikës, disa persona që gjendeshin në atë moment në vendin e ngjarjes kanë tentuar të afrohen për të shuar konfliktin, si edhe për t’i dhënë ndihmën personit të shtrirë në tokë, por njëri prej personave agresorë, i ka bllokuar, duke i frikësuar me armë.

Ky person, pasi ka hipur në mjetin me të cilin kishin ardhur, ka dalë sërish, në kërkim të një objekti në tokë (ka dyshime se po kërkonte gëzhojën e plumbit me të cilin ishte qëlluar viktima Nikaj). Në pak çaste ka kërkuar për këtë objekt dhe, pasi nuk e ka gjetur, ka hipur sërish në mjet, ku gjendeshin edhe tre personat e tjerë, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Në vendngjarje u gjet dhe bllokua me cilësinë e provës materiale një gëzhojë model 54, pikërisht gëzhoja që kërkonte Emiljano Tasho.

Nga veprimet e policisë gjyqësore, si edhe nga aktet hetimore, rezulton se personat e përfshirë në këtë konflikt ishin Ervis Martinaj, Emiljano Tasho, Bujar Hasani dhe Mirsad Kuçana. Ndërkohë, personi që ka qëlluar me armë zjarri Enton Nika, ka qenë Emiljano Tasho, i cili më pas është dënuar me 16 vite burg.

Personat e tjerë, i shpëtuan dënimit nga drejtësia përmes procedurave, pasi gjatë pretencës, Prokuroria e Tiranës kërkoi 116 vite burg për 4 të akuzuarit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT