Prokuroria zbardh të plotë vrasjen e gjyqtarit Kalaja, kërkohet “arrest me burg” për tre persona

Prokuroria e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar e në detaje sa i takon vrasjes së bujshme të gjyqtarit Astrit Kalaja, më 6 tetor, në sallën e gjyqit.

Në pranga për aktin e rëndë është autori i vrasjes, Ermal Shkambi, dhe dy persona të tjerë, për “vrasje të funksionarëve publikë”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “armëmbajtje pa leje” dhe “shpërdorim detyre”. Këto akuza janë zyrtarizuar tanimë ndaj, 30 vjeçarit (autori), Gjon Shkambit (xhaxhai i tij) dhe Banush Koxhajt (punonjës i sigurisë).

Sipas Prokurorisë, në përfundim të seancës në fjalë, rreth orës 15:35 të së hënës, sapo është shpallur vendimi, Shkambi ka nxjerë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja. Pas këtij veprimi, ai ka drejtuar armën ndaj babë e bir (palë në proces), duke i lënë të plagosur.

Menjëherë më pas, autori i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë.

Gjyqtari u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë.

Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, rezulton se Ermal Shkambi dhe Gjon Shkambi, kanë hyrë në gjykatë njëri pas tjetrit në orën 13:42 të asaj dite, ndërsa skaneri nuk ka sinjalizuar prezencën e armës.

Punonjësi i sigurisë, ndaj të cilit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontroll fizik apo regjistrimin e këtyre personave në librin e protokollit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT