Prezantimi i 4 nënkryetarëve të rinj të Bashkisë së Fierit, Balluku: Sot ditë e shënuar, për Armandon puna do të jetë më e thjeshtë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ditën me sotme u ndal në qytetin e Fierit ku dhe mori pjesë në emërimin e katër nënkryetarëve të rinj të Bashkisë së qytetit.

Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi se ky është një hap konkret drejt  një riorganizimi të thelluar që ka nisur prej muajsh në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë.

Balluku u ndal në transformimin që ka pësuar Bashkia e Fierit përgjatë viteve të fundit, duke e cilësuar si një histori suksesi që ka arriturit pritshmëritë dhe kërkesat e qytetarëve. Ndër të tjera ajo nënvizoi se kjo rritje e kërkesave është e natyrshme dhe për këtë arsye kërkohet një ndarje më e qartë e detyrave, dixhitalizim i proceseve dhe një nivel më i lartë transparence në raport me publikun.

Sipas saj, struktura e re do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve dhe në rritjen e efikasitetit të administratës lokale, duke e afruar më shumë me qytetarët.

“Sot ishte një ditë e shënuar, për të thënë të drejtën, për bashkinë e Fierit. Sapo prezantuam katër nënkryetarët e rinj. Kemi nisur një proces me kryetarin prej disa muajsh për një riorganizim të mirëfilltë të bashkisë. Pikërisht, ajo që thamë në takimin me punonjësit është që pas një pune shumë të mirë që është bërë këtu në Fier, duhet thënë që Fieri ka ndryshuar katërciprisht dhe është normale që ti sa më shumë punon, sa më shumë ngre, aq më shumë rritet kërkesa e qytetarëve.

Për këtë arsye, duhet një riorganizim i thellë dhe një ndarje e mirë e detyrave, dixhitalizimi i proceseve të bashkisë së Fierit dhe mbi të gjitha transparencë për qytetarët, diçka që kërkohet kudo sot në administratën publike dhe lokale. Besoj që me grupin e nënkryetarëve për Armandon puna do të jetë më e thjesht, territoret do të jenë më të mbuluara dhe qytetarët do të jenë më afër administratës lokale”, tha Balluku.

Siç është bërë me dije, katër nënkryetarët e rinj që do të punojnë me Armando Subashin, janë:  Nusret Avdullai, ish-kandidat në zgjedhjet e fundit për deputet, Erald Qirjo, aktualisht administrator i Njësisë Administrative Qendër, Mirela Pitushi, ish-deputete e Partisë Socialiste, dhe Mariglen Hoxha, ish-kandidat për deputet.

Procesi i ristrukturimit të administratës së bashkisë është në fazën përmbyllëse dhe synon forcimin e menaxhimit lokal përmes përfshirjes së figurave me eksperiencë politike e menaxheriale, proces që e nisi kryeministri Edi Rama menjëherë pas zgjedhjeve të 11 Majit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT