Presidenca sqaron vendimin: (Erion Veliaj) duhet të ishte ankuar në Gjykatën Administrative, jo në Kushtetuese! Afati ka kaluar, por ka dhe një shans

Institucioni i Presidentit të Republikës ka sqaruar vendimin për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës më datë 9 Nëntor, nisur dhe nga reagimet e shumta publike dhe një raport mediatik i Gjykatës Kushtetuese, e cila shprehej se kishte pezulluar zgjedhjet në kryeqytet.

Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës.

Sipas Presidencës, kjo do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.

Në këtë mënyrë, Bajram Begaj sqaron se ankimimi i bërë nga kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj, përmes avokatëve të tij në Gjykatën Kushtetuese, nuk qëndron, sepse ai duhet të ishte bërë në Gjykatën Administrative.

Ndërkohë, përsa i përket vendimit të Kushtetueses për pezullimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, Presidenca thotë se vendimi përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative”, thuhet në sqarim.

Institucioni i drejtuar nga Bajram Begaj bën me dije se sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.

Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.

Megjithatë, sipas sqarimit, Erion Veliaj ka dhe një shans të fundit për të kërkuar të drejtën e tij. Presidenca thekson se edhe me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme.

© Newsbomb.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT