“Pashë videon e motrës në makinën e tij”/ Vrasja e Mataj, rrëfimi i autorit: E qëllova 18-19 herë me pushkë…

Detaje të reja nga dosja hetimore për vrasjen e Ramazan Matajt hedhin dritë mbi mënyrën si u përgatit kurthi. Autori i dyshuar, Arjon Hasaj, ka deklaruar se 2–3 netë para ngjarjes pa në Instagramin e motrës, Armelës, një video ku ajo shfaqej në një makinë që e identifikoi si të Ramazan Matajt, gjë që, sipas tij, e rëndoi psikologjikisht. Me motrën, thotë se nuk kishte komunikuar prej tre vitesh.
Hasaj ka rrëfyer se krijoi një profil të rremë në Instagram duke u shtirë si femër për të organizuar takimin me 33‑vjeçarin. Për të rritur besueshmërinë, ai pohon se pagoi një vajzë rome që t’i dërgonte viktimës dy mesazhe zanore, për të lënë përshtypjen e një komunikimi real me një grua.
Sipas dëshmisë së tij, mbrëmjen e takimit, sapo Mataj u afrua me makinë, ai e qëlloi 18–19 herë me një armë gjahu kalibri 20 dhe më pas u largua me biçikletë drejt banesës, ku fshehu armën. Hasaj këmbëngul se ka vepruar i vetëm dhe se askush nuk ka pasur dijeni apo nuk e ka ndihmuar në kryerjen e krimit.
Ngjarja ndodhi në mëngjesin e 5 janarit 2025 në Shkodër, ku trupi i Ramazan Matajt u gjet në automjet nga banorë të zonës. Hetimet tregojnë se viktima u josh në një takim përmes profilit të rremë dhe u qëllua brenda makinës. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e largimit të autorëve me biçikletë, ndërsa arma, sipas dosjes, është groposur pranë banesës.
Pista kryesore e motivit lidhet me konflikte të vjetra mes palëve, ku dyshohet se motra e autorit ka patur një lidhje jashtëmartesore me viktimën. Sipas dëshmive në dosje, Mataj akuzohet se ka ndikuar në prishjen e dy martesave të saj dhe për shpërndarje të materialeve intime, çka ka nxitur përshkallëzimin e konfliktit.
Autoritetet theksojnë se dosja shoqërohet me prova materiale, përfshirë armën, gëzhojat dhe pamjet e sigurisë, ndërsa çështja do të vlerësohet në gjykatë për përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe verifikimin e plotë të rrethanave.