Operacioni për sigurinë në institucionet e drejtësisë, Kreu i Policisë së Shtetit në SPAK

Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është paraqitur këtë të martë, 14 tetor, në ambientet e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK).
Kjo vizitë vjen në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë, që pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, më 6 tetor 2025, në sallën e gjyqit.
Kujtojmë se 4 ditë më parë, Simon Zereci, drejtori i Gardës së Republikës bashkë me kryetarin e Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO), Erjon Bani, inspektuan godinën e SPAK.
Në mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve, më 9 tetor, theksi u vu pikërisht te siguria në gjykata.
Gjyqtarët kërkojnë siguri maksimale në gjykata, me skaner dhe detektor për të gjitha gjykatat, ndërgjegjësim publik dhe bashkëpunim me mediat për të shmangur gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit.