“O të puthësha mendjen ore”, Manjani nuk përmbahet për kreun e KLGJ: Astrit Kalaja nuk u aksidentua në punë, nuk theu dorën por e vranë!

Avokati dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra dje nga kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, në komisionin parlamentar. Ai thotë se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit nuk është aksident në punë.
“Kryetari i Kontrollit Punëtor alias KLGJ, mendon se vrasja e gjyqtarit ishte aksident në punë!!! Arsyetimi i tij është se meqë edhe babai i tij u aksidentua në punë, edhe gjyqtari ashtu iku nga kjo jetë!!! Më tej akoma, na fton të jemi bashkë në këtë budallëk!!! O zot!
Nuk u aksidentua Astrit Kalaja oooooor ti i kshillit! Nuk thyu dorën, por e vranë. Ai që shtiu me armë është vrasës jo aksidentues, o të puthsha mendjen”, shkruan Ylli Manjani, duke ironizuar Ilir Rusin për deklaratat e tij dhe deputetët që e dëgjonin.
Kreu i KLGJ-së u shpreh ndër të tjera se edhe ai e kishte humbur babain në një aksident në punë, duke bërë një paralelizëm me rastin e gjyqtarit Astrit Kalaja.
“Ti të rrosh vetë për babën, po mblidh mend’t e kokës e bëj ndonjë punë meqë qenke edhe presori i punës! Dhe deputetët që rrinin si guakë e dëgjonin këtë mrekulli, që e kanë zgjedhur vetë”, shkruan avokati, teksa përmbyll “Nuk e di dmth, qesha por edhe u hidhërova shumë kur e pashë këtë copëz raportimi.”