Nxirrte të dhënat nga sistemi TIMS, ish-shefi i Krimeve në Tiranë u “zbërthye” nga prokurori që kërkon të zërë vendin e Altin Dumanit

Erjon Dani, ish-shefi i Krimeve në Komisariatin nr3. Në Tiranë, ishte pjesë e grupit kriminal të “goditur” nga Prokuroria e Posaçme në korrik të këtij viti.

Me firmë të prokurorit Adnan Xholi, i cili tanimë po garon dhe për postin e kreut të SPAK, Dani me “shokë” u shpallën në kërkim pasi akuzohen se kundrejt shumave monetare kanë ndikuar te njerëzit e drejtësisë me qëllim lehtësimin e masave të sigurisë të personave në dënuar.

Ditën e sotme, Prokuroria e Posaçme, njoftoi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim dosjen në ngarkim të Danit dhe shtetasve Musa Gjikola, Klodjan Muça, Sokol Masha, Emiljano (alias Millan) Roçi dhe Vilson Roçi.

Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal. Ndërsa për shtetasin Erjon Dani është ngritur edhe akuza për “Shpërdorim detyre”.

Gjatë kohës së cilës i referohen hetimet, ai ka ushtruar funksionin e Shefit të Policisë Kriminale, njëkohësisht dhe Zv. Shef i Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.  Gjatë kësaj periudhe, Erjon Dani i ka vënë në dispozicion trafikantit K.M të dhënat e administruara në sistemin TIMS, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, duke konsumuar edhe elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Më 11 korrik ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.3 në Tiranë Erjon Dani u vetëdorëzuar në policinë e Himarës, pasi u informua nga mediat se ndaj tij kishte një urdhër arresti të firmosur nga SPAK.

SPAK njoftoi sot, 28 tetor: 

Sakaq ditën e sotme SPAK bëri me dije se nga hetimet ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku dyshohet se kanë kërkuar dhe përfituar shuma që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro. Ata pretendohej se kishin ndikim tek funksionarë të drejtësisë, me qëllim ndryshimin e masave të sigurisë apo lehtësimin e dënimeve ndaj disa personave të arrestuar.

Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.

Gjatë hetimeve janë dokumentuar komunikime mes të pandehurve përmes platformës së enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë siguruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT