Nuk i drodh qerpiku dhe zbrazi plumbat mbi gjyqtarin, sa do DËNOHET autori Elvis Shkambi

Elvis Shkambi përballet me dënimin më të rëndë që parashikon ligji shqiptar, burgim të përjetshëm, për aktin makabër të kryer brenda sallës së gjyqit, ku ekzekutoi gjyqtarin Astrit Kalaja.
I ftuar në emisionin “Top Story” të Grida Dumës, profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, bëri të ditur se 30-vjeçari po hetohet për disa vepra të rënda penale. Mes tyre, mbajtja pa leje e armës, vepër që dënohet me 5 deri në 7 vite burg, si dhe vrasja e një funksionari të lartë publik në rrethana rënduese, që sipas Kodit Penal dënohet me 30 vite burg ose burgim të përjetshëm.
Megjithëse autori e ka pranuar krimin dhe hetuesit janë të qartë, procesi mund të zvarritet për shkak të problemeve të thella në sistemin e drejtësisë.
“Ky e ka pranuar krimin. Hetimet janë kryer plotësisht. Por mungesat në trupën gjykuese dhe burokracitë mund ta shtyjnë dhënien e dënimit deri në një vit”, deklaroi Karamuço, duke shprehur kritika të ashpra ndaj gjendjes ku ndodhet sot drejtësia shqiptare.