Nuk e dinte që dy ditë më pas jeta do t’i prihej në mes, lokali ku Leandro shërbente publikon pamjet: Pusho në paqe bir i mirë, çdo ditë punove me nder

Pak pasi mbylli turnin, Leandro Shametaj, ashtu sikurse dhe çdo ditë tjetër, mori rrugën për t’u kthyer në shtëpi.
Por, fatkeqësisht, rreth orës 00:15 të datës 28 tetor, 32-vjeçari Hait Bajramaj, me automjetin e tij luksoz tip “Porsche” e aksidentoi 17-vjeçarin. Fatkeqësisht si pasojë e plagëve të marra ai ndërroi jetë në spital, duke u kthyer në banesë për herë të fundit jo me këmbët e veta, por në arkivol.
Për të gjithë që e njihnin Leandron, i cili po ashtu la pas gjysmën e zemrës së tij, vëllain binjak, Devin, ishte një djalë shembull, punëtor dhe fjalëpakë.
Dhe këtë fakt e kanë pohuar së fundmi edhe kolegët në lokalin ku 17-vjeçari punonte pasi përfundonte shkollën. Përpos pamjeve ku Leandro shihet duke shërbyer, ata shkruajnë se sa djalë i mirë, i qetë, punëtor dhe shembullor ka qenë ai. Ndonëse i vogël në moshë, gjithmonë ka treguar pjekuri dhe një përgjegjësi të madhe.
Postimi i lokalit ku punonte Leandro:
Lamtumirë, Leandro
Sot jemi mbledhur këtu me zemra të thyera,
të përcjellim në udhën e fundit një shpirt të pastër —
Leandron, djalin tonë të mirë, të qetë, punëtor e shembullor.
Vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç,
por me shpirt e përgjegjësi sa për një jetë të tërë.
Çdo ditë punonte me nder, me buzëqeshje të ndrojtur,
pa fjalë të tepërta, por me vepra që flisnin vetë.
Leandro, djalë pa fjalë,
ti nuk kërkove asgjë nga jeta — veç t’i bëje njerëzit mirë.
E Zoti, ndoshta ngaqë dritat e pastra nuk rrinë gjatë në tokë,
të mori pranë Tij shumë herët.
Na le bosh vendin e punës,
na le bosh zemrat,
por nuk do të na lësh kurrë kujtimin.
Në çdo mëngjes, në çdo kafe që përgatitet,
në çdo tavolinë që pret buzëqeshje —
do të jesh ti, Leandro.
Pusho në paqe, bir i mirë.
Zoti të pranoftë në dritën e Tij,
ashtu siç ishe — i qetë, i pastër dhe me zemër flori.
Lamtumirë, Leandro…
djalë që ike shpejt,
por do mbetesh përjetë në zemrat tona.