Naftëtarët e “Bankers Petroleum” futen në grevë urie, kërkojnë kushte më të mira pune dhe rritje pagash

Naftëtarët e kompanisë “Bankers Petroleum Albania” janë futur zyrtarisht në grevë urie. Ata dolën dje në protestë dhe kërkuan kushte më të mira punë, si dhe rritje të pagave, ndërkohë që paralajmëruan se nëse kërkesat nuk merreshin parasysh do të futeshin në grevë urie.

Mesa duket, punëdhënësi nuk ka rënë dakord me kërkesat e tyre dhe sot  naftëtarët janë ngujuar në ambientet e punës, në ditën e dytë të protestës dhe të parën e grevës së urisë.

Kompania Bankers Petroleum Albania Ltd është nën hetim, fillimisht nga Prokuroria e Fierit dhe tani nga SPAK, pasi gjatë hetimeve disa mujore është arritur që të grumbullohen prova të mjaftueshme për të evidentuar skemën e mashtrimit që kompania ka bërë gjatë 20 viteve të fundit.

Shoqëria “Bankers Petroleum Albania”, ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.

Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.

Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Lidhur me këtë operacion u lëshuan 14 masa sigurie, ku 9 prej të cilave u ekzekutuan, ndërsa polica po vijon punën për ekzekutimin e 5 masave të tjera. Në pranga ra numri 1 i kompanisë Hongping Xiao, i cili prej vitesh drejtonte aktivitetin e Bankers Petroleum si dhe ish-drejtuesi i saj, Leonidha Çobo.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT