Mustafa Nano: Rama dhe Kurti s’e durojnë njëri-tjetrin, por nuk besoj se kryeministri shqiptar ka dorë në rrëzimin e tij

Mustafa Nano thotë se politika kosovare duhet t’i mënjanojë krizat politike si ajo aktuale, pasi kriza të tilla të paarsyeshme krijojnë idenë në Perëndim e në botë se është e paaftë për t’u vetëqeverisur.

Nano solli në vëmendje se edhe vende si Palestina janë penalizuar më së shumti nga imazhi që kanë përcjellë në botë, si të paaftë për t’u vetëqeverisur.

Analisti tha se Albin Kurti ka përgjegjësi për krizën, pasi nuk ka qenë tolerant dhe nuk ka treguar se është njeri i konsensusit dhe i negociatave, duke krijuar një mur me pjesën tjetër politike në vend.

“Kjo krizë ishte e papritur, e pamenduar, nuk kishte arsye, sidomos për gjendjen në të cilën është Kosova. Situata të tilla mund të verifikohen edhe në shtete të tjera, por këto vende nuk kanë sfidat e Kosovës. Politika kosovare duhet të përpiqet që kriza të tilla t’i mënjanojë, t’i evitojë, që të mos krijojë idenë jashtë Kosovës, apo në Perëndim se Kosova në përgjithësi është e paaftë për t’u vetëqeverisur.

Ka kombe të tjera që janë penalizuar më së pari nga imazhi që kanë përcjellë në botë, si të paaftë për t’u qeverisur, siç janë palestinezët. Drama e madhe e palestinezëve lidhet përveç të tjerash edhe me perceptimin botëror, sipas të cilit ata janë të paaftë për t’u qeverisur. Kosova duhet të përpiqet që mos ta përcjellë këtë mesazh.

Është një shtet në provë, s’është si Shqipëria që ka 100 e ca vite që ekziston, apo shtetet e tjera të Ballkanit. Ata janë në provë çdo ditë, dhe çdo krizë që prodhojnë u futet në lupë. Ky është mesazhi që duhet t’i përcillet klasës politike në Kosovë: Jeni në provë, bëni kujdes”, tha Nano për MCN.

I pyetur a ka një përgjegjës për situatën në Kosovë, Nano thotë:

“Personi në komandë të gjërave, që ka timonin e gjërave, ai është gjithmonë përgjegjës kur ka kriza, sepse duhet t’i luajë të gjitha gurët e mundshëm që ta shmangë krizën. Albin Kurti duhej ta shmangte, ai është përgjegjës edhe për muaj të tërë negociatash e vonesash. Dhe pse ndodhi ajo gjë? Ndodhi sepse Kurti i vuri vetes si qëllim të zgjidhte një beniaminin të vet në krye të Kuvendit. Ishin muaj të humbur dhe një spektakël i papëlqyeshëm.

Albin Kurti s’bëri asnjë përpjekje për ta shmangur këtë spektakël. Kemi ardhur në situatën ku megjithëse ka dalë forcë e parë, i duheshin 12-13 vota në Kuvend. Në lider i kujdesshëm që di të komunikojë, që di të tolerojë, që di të bëjë negociata, që përcjell mesazhin si njeri i konsensusit, s’do ta kishte zor të gjente 13 vota për të qeverisur. Ka krijuar një mur mes vetes së vet, klasës politike kosovare, dhe gjithë pjesës tjetër”.

I pyetur a po shpresohet dhe punohet në Tiranë për rrëzimin e Albin Kurtit, Nano u shpreh:

“S’e di. Nuk besoj se ka strategji të qeverisë apo Ramës për ta rrëzuar Kurtin. Rama nuk para i ka futur hundët në punët e Kosovës. Ka parapëlqimet e veta brenda politikës kosovare, por nuk ka bërë ndërhyrje brutale në lojën politike atje.

Ai s’e ka qejf Kurtin, kjo dihet, ashtu si edhe Kurti s’e ka qejf Ramën, por s’besoj se punojnë për ta rrëzuar njëri-tjetrin. Edhe sikur ta dëshironin, nuk kanë asgjë në dorë. Kurti e Rama janë të fortë në terrenet respektive. Por kuptohet, në qoftë se rrëzohet Kurti, Rama as do ta vajtojë rrëzimin e tij, as do shtrojë ndonjë gosti.”

Sa i takon zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, Nano tha se nuk sheh shanse që Florjan Binaj të fitojë garën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT