Mitrovica e Jugut në balotazh! Kush është ish-basketbollisti që mori 4 vota më shumë, dy kandidatët që do të “luftojnë” për karrigen e kryetarit

Mitrovica e Jugut do të shkojë në balotazh, pas një gare tepër të ngushtë mes kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosja. Rezultatet përfundimtare të numërimit të votave tregojnë se asnjëri nga dy kandidatët kryesore nuk arriti që të siguronte mbi 50% të votave.
Sipas të dhënave të afishuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili nga fusha e basketbolli vendosi t’i futet politikës ka marrë 47.89% të votave, ndërsa pasohet nga Faton Peçi i Albin Kurtit me 47.80% të votave.
Diferenca mes dy kandidatëve është tepër e vogël ku Tahiri kryeson këtë garë me 4 vota. Kandidatët e tjerë, Gëzim Plakolli (LDK) me 3.57% dhe Qazim Nimani (AAK) me 0.74%, nuk arritën të ndikojnë ndjeshëm në rezultatin final.
Sipas analistëve në Kosovë arsyeja kryesore është ndarja e barabartë e elektoratit mes dy partive më të mëdha, PDK-së dhe VV-së, të cilat kanë struktura të forta në këtë komunë. PDK-ja tradicionalisht ka pasur bazë të konsoliduar në Mitrovicën e Jugut, por VV ka shënuar rritje të dukshme përgjatë dy zgjedhjeve të fundit, duke tërhequr votues të rinj dhe elektoratin gri.
Rezultati në Mitrovicë reflekton polarizimin politik në nivel kombëtar. PDK ka arritur të mbajë një pjesë të fortë të elektoratit tradicional, por rritja e Vetëvendosjes tregon se qytetarët po kërkojnë ndryshim dhe alternativa të reja në qeverisjen lokale.
Tani do të jenë zgjedhjet e 9 nëntorit ato të cilat do të përcaktojnë dhe fituesin. Ndërkohë që çdo votë në raundin e dytë do të jetë vendimtare. Fushata e dy kandidatëve pritet që të fokusohet në qytetarët të cilët ditën e djeshme nuk morën pjesë në zgjedhje.