Misteri që ka mbuluar Aeroportin e Vlorës! Borxhi 100 milionë euro që mund t’ia çojë në duar pronësinë të huajve, lëvizjet e Pacollit dhe akuzat

Aeroporti i ri i Vlorës, një nga projektet më të rëndësishme strategjike për vendin, është ndërtuar mbi një marrëveshje financiare që ngre shumë pikëpyetje për pronësinë, transparencën dhe kontrollin e ardhshëm të këtij objekti.
Nga disa prej fashikujve që po qarkullojnë në media lidhur me kontratat “misterioze” që janë firmosur rezulton se në mars të vitit 2025, kompania Mabco Constructions, në pronësi të biznesmenit të njohur, Behgjet Pacolli, ka firmosur një marrëveshje kredie prej 100 milionë eurosh me një kompani financiare të regjistruar në Luksemburg, të quajtur Delphos Securities SARL.
Kjo kompani një strukturë të veçantë të quajtur “Copartment Bernina” përmes të cilës është dhënë kredia për ndërtimin dhe operimin e aeroportit. Marrëveshja është nënshkruar më 26 mars 2025 dhe përfaqësues i huadhënësit është Bart Turtelboom, banues në Zvicër, një menaxher me përvojë në financa ndërkombëtare, i cili thuhet se ka pasur lidhje edhe me tregjet e Rusisë dhe Kazakistanit.
Sipas raportimeve të deritanishme dhe dokumenteve të publikuara, struktura e këtij financimi përfshin kompani offshore dhe investitorë të paidentifikuar, që thuhet po ashtu se janë nga Rusia dhe Kazakistani. Kjo ka ngritur dhe shqetësim mbi ndikimin e mundshëm të të huajve në një projekt kaq të rëndësishëm për Shqipërinë, madje edhe për vetë kryeministrin Edi Rama.
Më shqetësues është fakti se në një nga pikat e kësaj kontrate, Aeroporti i Vlorës është vënë si kolateral, pra si garanci financiare në rast se kredia nuk shlyhet. Pra, nëse ndodh që shuma e marrë hua nuk kthehet, kontrolli mbi aeroportin mund t’i kalojë automatikisht fondit huadhënës, duke i dhënë atij të drejtën të ndërhyjë në pronësinë dhe administrimin e Aeroportin.
Prej ditësh ekspertë të fushës kanë theksuar se kjo marrëveshje përmban elementë që kërkojnë vëmendje të lartë nga institucionet shqiptare, për shkak të mungesës së transparencës mbi origjinën e fondeve dhe ndikimin potencial të interesave të huaja në infrastrukturën strategjike të vendit.
Përplasja në Aeroportin e Vlorës:
Aeroporti i Vlorës është përfshirë në një skemë të errët, me përplasje mes aksionerëve dhe hetime nga organet e drejtësisë. Konflikti mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka marrë përmasa publike dhe ligjore, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetime për kontratën koncesionare që financon projektin.
Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve, Yda , të cilët i shitën aksionet e tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë ku atij i kaluan 47% të aksioneve.
2A Group e Ademit kërkon të njihet si 47 për qind aksioner duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.
Gjithashtu ai ka akuzuar Pacollin se ka bërë marrëveshje financiare, huanë prej 100 milionë eurosh, pa e njoftuar dhe përfshirë në mënyrë të saktë ortakun e vogël, dhe se shumë nga këto fonde nuk kanë ardhur të regjistruara në Shqipëri.
Avokati i Ademit ka deklaruar se kur firma turke që kishte marrë pjesë në projekt (YDA Group) u tërhoq, aksionet e saj kaluan te Mabco, e Behgjet Pacollit, dhe në të njëjtën ditë u nënshkrua marrëveshje mes Pacollit dhe Ademit, me ndarje që sipas tyre duhej të ishte 49–51. Por Mabco kundërshton këtë variant dhe nuk pranon që të bëhet regjistrim zyrtar i pjesëmarrjes sipas kontratës noteriale.
Më herët Pacolli ka vendosur të shkarkojë administratorin e kompanisë koncesionare të aeroportit, Valon Lluka, me votat e vetë Mabco-s, pa praninë ose miratimin e 2A Group. 2A Group pretendon se ky veprim është bërë për të forcuar kontrollin e Pacollit dhe për të eliminuar çdo pengesë institucional ose ligjore. Gjykata e Tiranës ndërhyri duke pezulluar lëvizjet e Pacollit lidhur me aksionet e aeroportit, duke ndaluar çdo ndryshim në strukturën e aksioneve derisa të sqarohet ligjërisht se kujt i takojnë ato aksione në të vërtetë. Ndërkohë, Valon Ademi ka bërë kallëzime penale kundër Pacollit, përfshirë akuza për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe manipulim të aksioneve.
Ndërkaq, SPAK ka marrë një rol kyç, në korrik 2025 është regjistruar një procedim penal në fazë paraprake për kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës. SPAK po heton nëse kontrata është dhënë në mënyrë të ligjshme, nëse kushtet financiare dhe ndërtimore janë përputhur me ligjet për prokurimet publike dhe nëse janë abuzuar me procedurat e kontraktimit.