Miku basketbollist i Edi Ramës, Ilir Trebicka fiton konkursin ndërkombëtar për “Asllan Rusin” (NDËRTUESI I KULLAVE NË TIRANË DHE JUG)

Pallati i sportit “Asllan Rusi” në Tiranë do të shndërrohet në një hapësirë rekreative me fusha për sporte të ndryshme, ambiente spitalore për ekipet pjesëmarrëse dhe funksion miks tregtar e rezidencial. Ky është projekti fitues i konkursit ndërkombëtar për rilindjen e “Asllan Rusit”.

Objekti 20 katësh në formën e sferës do të ketë në qendër një një arenë me 6 mijë vende, e cila do të shërbejë si fushë kryesore për ndeshjet e basketbollit, handbollit, peshëngritje, gjimnastikë, mundje, etj.

Ai është konceptuar i tillë, pra në formë sferike, nga topi i basketbollit dhe është përzgjedhur nga juria për balancën midis funksionalitetit, estetikës dhe qëndrueshmërisë.

Gjithashtu, i projektuar nga studio holandeze MVRDV dhe i gatshëm për zhvillim nga bashkimi i operatorëve Likado BV, Albanian Capital Group sh.p.k, BCN Investements B.V dhe Trema Tech sh.p.k, projekti synon të rikthejë Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në një qendër multifunksionale që do të kombinojë sportin, aktivitetet kulturore dhe hapësirat publike për komunitetin.

Përmes rikualifikimit, godina do të marrë një formë të re arkitektonike dhe do të shërbejë si pikë referimi për ngjarje kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa hapësirat përreth do të përshtaten për aktivitete rekreative dhe ekspozita, duke forcuar lidhjen me qytetin.

Ilir Trebicka me Trema Tech sh.p.k në qendër të projektit

Një ndër kompanitë fituese të projektit, Trema Tech sh.p.k është në pronësi të ndërtuesit dhe mikut ish-basketbollit të kryeministrit Edi Rama, shtetasit Ilir Trebicka.

Ai ka qenë dhe dje i pranishëm gjatë shpalljes së fituesit të konkursit, ndërsa përfaqësuesi holandez i studios projektuese MVRDV nuk i ka fshehur dot emocionet, dhe menjëherë sapo juria dha vendimin ai përqafoi Ilir Trebickën.

Miku basketbollist i Edi Ramës, Ilir Trebicka fiton konkursin

Projektuesi holandez duke perqafuar Ilir Trebicken

Ai është një ndër ndërtuesit e hershëm të njohur në Tiranë, që tashmë e ka shtrirë veprimtarinë e tij edhe në jug të vendit. Trebicka është mik i kryeministrit Edi Rama qëkur të dy luanin basketboll dhe në Shkodër njihet dhe si ndërtuesi i stadiumit “Loro Boriçi”.

Ilir Trebicka ka marrë pesë vite më parë statusin e investitorit strategjik dhe një leje për një fshat turistik në zonën e Dhërmiut. Kompleksi turistik “Thymus” që ai do të ndërtojë përmban 2 hotele dhe një fshat turistik me 38 vila dy-tre katëshe, të cilat deri në Gusht 2024 ishin në fazë karabinaje.

Miku basketbollist i Edi Ramës, Ilir Trebicka fiton konkursin

Edi Rama dhe Ilir Trebicka, foto e publikuar nga vete kryeministri ne Facebook

Firmën e Ilir Trebickës do të mbajë edhe një kullë 40 katëshe në zonë e Gardës së Republikës, në hyrjen e Liqenit Artificial të Tiranës. Një vit më parë, një tjetër kompani ku ai është aksioner, “X One” ka marrë dritën jeshile dhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit për të ndërtuar qiellgërvishtëse në një nga zonat më të preferuara të Tiranës.

Godina ikonike e Tirana Bank pranë hyrjes së Gardës së Republikës do të shembet dhe aty kompania “X One” do të ndërtojë një qiellgërvishtëse 40 kate. Ajo do të quhet “Grand Park Skyline” dhe shumë shpejt pritet të nisë puna për ndërtimin e kullës më të lartë në këtë zonë.

Kompania “X One” është themeluar në vitin 2021 me kapital 10 milionë lekë të vjetra, nga ortakët Çesk Ivanaj 50% dhe Ylli Ujka 50%. Në shkurt 2024, ortakët themelues shesin 26% të kuotave të kapitalit (individualisht secili shet 13%) në favor të Ilir Trebickës, kundrejt çmimit total 260.000 (dyqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë.

Përbërja e shoqërisë pas transferimit është: Çesk Ivanaj 37%, Ylli Ujka 37% dhe Ilir Trebicka 26%.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT