Meta 1 vit në qeli, Tedi Blushi “e ngre në piedestal”: Burrë shteti dhe lider patriot, liria do të triumfojë me ty

Sot është mbushur plot një vit që nga arrestimi i ish-presidetit Ilir Meta, për këtë arsye Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi,ka bërë një reagim në llogarinë e tij në rrjetin social “FaceBook”. Në statusin e tij ai e cilëson arrestimin e Metës si një “rrëmbim” dhe e cilëson ish-presidentin si lider patriot dhe burrë shteti.
“Sot, më shumë se kurrë, ai qëndron si simbol i gjallë dhe frymëzues i Lirisë, Demokracisë, Qëndresës dhe Rezistencës ndaj së keqes dhe Narkoshtetit. Kauza e tij është kauza e çdo shqiptari të ndershëm që nuk pranon padrejtësinë dhe shtetin e kapur nga krimi dhe korrupsioni”, ka shkruar ndër të tjera Blushi.
Ai i mëshon fortë faktit që “nuk ka prova për arrestimin e tij dhe e quan gjithë procesin një farsë të iniciuar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste.”
“Malet tona më të larta janë simboli i pathyeshmërisë së Ilir Metës dhe Partisë së Lirisë!Liria do të triumfojë me ty Ilir Meta”, e mbyll ai statusin e tij.
Postimi i plotë:
Një vit nga rrëmbimi kriminal i Ilir Metës, liderit patriot dhe burrit të shtetit me vizion!
Sot, më shumë se kurrë, ai qëndron si simbol i gjallë dhe frymëzues i Lirisë, Demokracisë, Qëndresës dhe Rezistencës ndaj së keqes dhe Narkoshtetit.
Kauza e tij është kauza e çdo shqiptari të ndershëm që nuk pranon padrejtësinë dhe shtetin e kapur nga krimi dhe korrupsioni.
Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 8 vitesh hetimesh, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme:
ZERO fakte penale!
ZERO prova penale!
ZERO akte dhe vendime të paligjshme!
ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!
ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit!
ZERO pasuri të paligjshme!
Malet tona më të larta janë simboli i pathyeshmërisë së Ilir Metës dhe Partisë së Lirisë!
LIRIA DO TË TRIUMFOJË! ME TY, ILIR META!