Mbi 100 mijë euro ilaçe të skaduara, kush është Adnan Yizdizoglu, administratori i “Dental Turk” që merrte në qafë pacientët shqiptarë

Forca të shumta policie zbarkuan paraditen e kësaj të premte brenda ambienteve të klinikës dentare “Dental Turk” me vendodhje në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet. Ashtu sikurse njoftuam dhe më herët Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asteteve Kriminale ranë në gjurmët e skemës që kjo klinikë vijonte prej kohësh me produktet e skaduara.
Sipas njoftimit të bërë nga autoritetet u mësua se “Dental Turk”, me administrator turkun Adnan Yizdizoglu, ofronte për klientët shërbime detare me produkte të skaduara, për të cilat nuk dispononin as fatura zhdoganimi.
Lidhur me këtë operaicon policor u bë i mundur arrestimi i turkut 59-vjeçar, ndërkohë që u vunë nën hetim tre punonjës të klinikës, konkretisht koordinatorja B. K., 35 vjeçe, si dhe 2 laborantët L. S., 21 vjeçe dhe A. A., 42 vjeç.
Gjatë kontrollit u bë i mundur sekuestrimi i 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), pa fatura zhdoganimi, me vlerë rreth 100 000 euro, si dhe mandate të pafiskalizuara. Administratori i kësaj klinike, Adnan Yizdizoglu, nuk është një emër i panjohur për publikun, pasi disa herë ka dalë nëpër intervista televizive ku dhe ka reklamuar shërbimin cilësor që ata ofronin dhe moton e kësaj klinike “Përmirësoni cilësinë e jetës suaj”.
Adnan Yizdizoglu me shtetësi turke ka përfunduar shkollën në Hong Kong, ndërkohë që prej vitesh ka ardhur në Shqipëri ku dhe ka hapur klinikën “Dental Turk”, e cila nga përshkrimet e lëna nga pacientët që kanë kryer shërbimin pranë kësaj klinike kanë çmime të ulëta, por jo cilësi të mirë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizon operacionin policor të koduar “Dentistry”. Zbulohet se në një klinikë dentare në “Don Bosko”, kryhej evazion fiskal dhe shërbehej me produkte të skaduara.
Sekuestrohen 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), pa fatura zhdoganimi, me vlerë rreth 100 000 euro, si dhe mandate të pafiskalizuara. Arrestohet administratori i klinikës (shtetas turk). Vihen në hetim koordinatorja e subjektit dhe 2 laborantë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në një subjekt (klinikë stomatologjike) në zonën “Don Bosko”, kryheshin krime ekonomike dhe krime kundër shëndetit/jetës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizuan operacionin “Dentistry”.
*Pamje brenda klinikës
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e klinikës, u kap dhe u arrestua administratori i subjektit, shtetasi turk, A. Y., 59 vjeç. Gjithashtu, u kapën në flagrancë, 3 punonjës të klinikës, konkretisht koordinatorja, shtetasja B. K., 35 vjeçe, si dhe 2 laborantët, shtetasit L. S., 21 vjeçe dhe A. A., 42 vjeç, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Nga kontrolli në ambientet e klinikës u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), me vlerë rreth 100 000 euro, për të cilat nuk disponoheshin fatura zhdoganimi, si dhe mandate të pafiskalizuara. Vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmin ekonomik që i është caktuar shtetit, si pasojë e shmangies së detyrimeve tatimore nga ky subjekt.