“Ky është vrasësi i dytë…”, Profesori i kriminalistikës shpërthen në emision: Marrin njerëz nga rruga dhe i vendosin për sigurinë

Eksperti i sigurisë Ervin Karamuço ka reaguar me tone të forta në emisionin “Top Story”, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit. Sipas tij, ngjarja tragjike nuk është vetëm akt kriminal individual, por pasojë direkte e dështimit total të sistemit të sigurisë në gjykata.
“Ky është krimineli i dytë.”-tha Karamuço, duke iu referuar jo vetëm autorit të vrasjes, por edhe neglizhencës institucionale që lejoi armën të futej në sallë.
“Merret një person nga rruga, ulet në stol dhe sheh ato ngjyrat aty. Por, mund të them që kontroll nuk ka fare. Ato urat e sigurisë bëjnë ‘bip-bip’ kot.”-tha Karamuço.
Sipas tij, personat që qëndrojnë në hyrjet e gjykatave nuk janë as policë, as roje të kompanive private, por individë të punësuar drejtpërdrejt nga vetë gjykatat, pa përvojë dhe pa trajnim profesional.
“Ai personi i sigurisë nuk është as i policisë, as i kompanive private. Është vendosur nga vetë gjykata. Në vitin 2020 e kërkuan këtë dhe me VKM nr. 538 u firmos. Sepse gjykatat dhe prokurorët kanë thënë ‘ruajmë vetë’ brenda, dhe kjo është pranuar për shkak të pavarësisë së gjyqësorit.”-shtoi Karamuço.
Ai theksoi se kjo praktikë ka krijuar një boshllëk të rrezikshëm në sistemin e sigurisë, ku persona pa trajnim dhe pa përgatitje mbrojnë institucione që janë objekt i konflikteve të ndjeshme.
“Ai nuk ka asnjë lloj trajnimi. Merret nga rruga dhe futet aty.”-tha Karamuço, duke e cilësuar situatën “të papranueshme dhe të rrezikshme për jetën e gjyqtarëve dhe qytetarëve që kërkojnë drejtësi.”
Deklarata e tij ka ndezur debat të fortë publik mbi mungesën e standardeve minimale të sigurisë në institucionet e drejtësisë dhe përgjegjësinë e autoriteteve që prej viteve kanë lejuar këtë model vetë-ruajtjeje brenda gjykatave.