Kamza jashtë kontrollit, dhunë me thika në shkollë dhe rrugë, 10 ditë frike për adoleshentët

Kanë kaluar vetëm 10 ditë nga fillimi i tetorit dhe në Kamëz janë shënuar dy ngjarje të rënda dhe të rrezikshme për jetën, ku në qendër janë adoleshentët. Në një kohë kur policia duhet të garantojë rendin dhe sigurinë publike, situata në këtë bashki tregon se çdokush mund të bëjë çfarë të dojë, pa asnjë pasojë të menjëhershme.
Ngjarja e parë ndodhi në ambientet e shkollës “Ibrahim Rugova”, ku një sherr banal mes dy gjimnazistëve degjeneroi në përdorim të thikave. Dy të rinj përfunduan në spitalin e Traumës, njëri prej tyre në gjendje të rëndë për jetën. Mbrëmjen e djeshme, një tjetër incident ndodhi në zonën e Bathores. Katër adoleshentë u përfshinë në një përleshje fizike ku sërish u përdorën mjete të ftohta. Fatmirësisht, këtë herë askush nuk pësoi lëndime të rënda, por rreziku ishte real.
Çfarë po ndodh me sigurinë në Kamëz? Përballë shpërthimit të dhunës mes të rinjve, duket se policia mbetet pasive, ndërsa ngjarjet e rënda shtohen dita-ditës. Më alarmante është natyra e këtyre konflikteve banale dhe pa arsye serioze, por me pasoja që mund të jenë fatale.
Këta adoleshentë, vetëm 15 apo 16 vjeç, janë në rrezik të shndërrohen në viktima të dhunës apo agresorë me pasoja penale, në një moshë kur duhet të jenë në shkollë, jo në urgjencë. Ndërkohë, mungesa e kontrollit dhe ndërhyrjes së shpejtë nga strukturat e rendit, lë qytetarët në pasiguri dhe fëmijët në rrezik.