Kalaja hidhet në “sulm” dhe akuzon publikisht të “preferuarin” e opozitës, i nxjerr emrin te Fondacioni i Soros

Në një kohë kur emri i pedagogut dhe analistit, Ermal Hasimja, po lakohet gjerësisht nëpër media dhe tryezat e opozitarëve si kandidati i mundshëm për Bashkinë e Tiranës, demokratja Adriana Kalaja është hedhur në “sulm”.
Kalaja, e cila më herët po ashtu ka shprehur ambicien e saj për të garuar përballë Ogerta Manastirliut, ka akuzuar publikisht Hasimjan, duke e lidhur atë me Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, e themeluar nga miliarderi George Soros.
Avokatja ka publikua një dokument zyrtar të OSFA-së, ku në listën e anëtarëve të bordit figuron edhe emri i Ermal Hasimjas, duke e konsideruar këtë si provë të lidhjeve të tij me atë që ajo e cilëson si “rrjetin Sorosian në Shqipëri”.
Sipas Kalasë kjo dëshmon se Hasimja ka qenë pjesë e një rrjeti që demokratët me në krye Sali Berishën prej vitesh e kanë denoncuar për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në politikën shqiptare, duke mbështetur parti, figura dhe politika që përputhen me interesat e tij personale.
Madje, ish kryeministri më herët ka pretenduar se Fondacioni Soros ka financuar protesta dhe lëvizje opozitare për të rrëzuar qeveritë që nuk i përkrahin interesat e tij, duke e cilësuar si një instrument për destabilizimin politik.
Kujtojmë se opozita e bashkuar prej ditësh është në bisedime për emrin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës i cili më 9 nëntor do të sfidojë Ogerta Manastirliun e kahut tjetër politik. Deri më tani tre janë emrat e kandidatëve të cilët po diskutohen, ata janë: Ermal Hasimja, Florian Haçka dhe Edlira Çepani, megjithëse asnjë prej tyre deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht.